Maqedoni

Kovid-19, javën e fundit u ul vdekshmëria për 10%

08.12.2020 16:27

Nga 30 nëntori deri më 6 dhjetor, 184 persona në vend kanë humbur jetën nga virusi Korona...

Nga 30 nëntori deri më 6 dhjetor, 184 persona në vend kanë humbur jetën nga virusi Korona, që paraqet ulje për 10,7% në krahasim me një javë më parë, bëjnë të ditur nga Instituti i Shëndetit Publik. Sa i përket moshës së të vdekurve, 158 janë mbi 60 vjeç, 20 të moshës prej 50 deri në 59 vjeç, 5 të vdekur janë të moshës 40 deri në 49 vjeç dhe një person i grupmoshës 30 deri në 39  vjeç. Në klinikat infektive në vend aktualisht po trajtohen 1348 pacientë, ndërsa ka edhe 180 krevate të lira, bëjnë të ditur nga Ministria e Shëndetësisë, sipas të cilës aktualisht ka mbi 21 mijë raste aktive me Kovid-19 në vend.  Deri në mars të vitit të ardhshëm pritet të arrijë edhe vaksina anti-Kovid. 
 
Filipçe: Masa shtesë për fundvit, por jo orë policore
 
Qeveria ka miratuar ndryshimet në Programin për imunizim të obligueshëm të popullsisë, me çka konfirmohet angazhimi i Ministrisë së Shëndetësisë për sigurimin e 833 mijë dozave të vaksinave. Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, ka paralajmëruar se do të vaksinohet edhe ai. 
 
“Unë do të vaksinohem. Besoj te vaksina, ajo është e sigurt, ne e ndjekim procesin e zhvillimit dhe të gjitha fazat e studimit klinik. Vaksina do ta ndryshojë gjendjen me pandeminë, do ta ngritë imunitetin e popullsisë gjithkund në botë, ndërsa jeta do të kthehet në normalitet.”,- vlerëson ministri i shëndetësisë, i cili beson se vjeshtën e ardhshme dhe për festat e Vitit të Ri nuk do të ketë nevojë për masa askund në botë dhe do t’i kthehemi jetës normale, siç ishte para Kovid-19.
 
Ministri Filipçe paralajmëron masa të reja për festat e fundvitit, por jo edhe orë policore. Për masa të reja do të vendoset në njërin nga takimet e Komisionit për Sëmundje Ngjitëse, pasi vlerësohet se gjatë festave ekziston rreziku i përhapjes së virusit. 
 
GYLTENE SINANI