Takimi i ministrave të vendeve të BE-së, s’ka kornizë negociuese, bllokon Bullgaria

08.12.2020 17:44

Ministrat e vendeve anëtare të BE-së...

Ministrat e vendeve anëtare të BE-së nuk arritën të dakordohen për  kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut, pas bllokadës bullgare.

Ministri Gjerman për Europë Mihaill Rot pas takimit theksoi se mos arritja e pajtueshmërisë për Maqedoninë e Veriut dhe njëherësh edhe për Shqipërinë, paraqet gabim të rëndë politik me pasoja mbi stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

Ai theksoi se nuk ka plan B për nisjen e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut, por është çështje kohe se kur kjo do të ndodh.

“Një shtet i vetëm nuk u pajtua me kornizën negociuese, nga gjithsej 27 vendet anëtare. Nuk ishte e mundur që tani të merret vendimi, por ne do të shtyjmë procesin përpara dhe vitin e ardhshëm sa më shpejtë të jetë e mundur do të arrijmë marrëveshje. Andaj, absolutisht nuk ka nevojë për plan B për procesin integrues të Maqedonisë së Veriut. Është çështje se kur ne mund të nisim bisedimet. Kjo është goditje për politikën e Ballkanit Perëndimor i cili do të duhet të mbart stabilitet dhe demokraci në rajon. Shpresojmë se gjatë presidencës portugeze do të ndodh nisja e bisedimeve, pasi është në  interes të mbarë BE-së.”,- deklaroi ministri gjerman për Europë, Mihael Rot.

Pisonero: Zgjerimi, prioritet për BE-në

Pas bllokadës bullgare, Komisioni Europian përsëriti se zgjerimi me vendet e Ballkanit Perëndimor është prioritet për Unionin.

“Në këshill vazhdojnë diskutimet për kornizën negociuese. Pozicioni i Komisionit Europian është mjaftë i qartë: duam mbajtjen e konferencave të para ndërqeveritare sa më shpejtë të jetë e mundur. Për të ndodhur kjo nevojitet që këshilli të pajtohet mbi kornizën negociuese.”,- theksoi zëdhënësja e KE-së, Ana Pisonero.

20 eurodeputetë të Parlamentit Europian nënshkruan deklaratë me të cilën kërkohet të mos lëshohet shansi që deri në fund të vitit të  mbahet konferenca e parë ndërqeveritare me Maqedoninë  e Veriut.

Eurodeputetët porositën se bllokimi i zgjerimit kërcënon kredibilitetin e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Ftuan Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë në gjetjen e kompromisit për ndasitë dypalëshe dhe vazhdimin e procesit të zgjerimit. (Meral Ismaili, TVM2)