Maqedoni

BDI dhe PDSH “përplasen” për eurointegrimet

12.11.2014 15:36

Debati rreth raportit për aktivitetet e realizuara nga Programi Nacional për Miratimin e të Drejtës së Bashkimit Evropian...

Debati rreth raportit për aktivitetet e realizuara nga Programi Nacional për Miratimin e të Drejtës së Bashkimit Evropian për tremujorin e tretë, mbeti nën hijen e akuzave të ndërsjella mes deputetëve të PDSh-së dhe atyre të BDI-së. Sipas deputetëve të PDSh-së, vendi po ngec në proceset eurointegruese.
 
Ata akuzuan BDI-në si bashkëfajtore në këtë proces dhe fajtore për pozitën e shqiptarëve në Maqedoni. Ndërkaq, deputetët e BDi-së, përfshirë edhe zëvendëskryeministrin për çështje evropiane, hodhën poshtë pretendimet e deputetëve të PDSh-së.
 
Sipas tyre, procesi i eurointegrimit është çështje mbipartiake dhe të gjithë duhet të kontribuojnë në realizimin e tij.
 
Sa u përket akuzave rreth qasjes selektive të institucioneve, Besimi tha se institucionet nuk guxojnë të veprojnë në formë selektive, pasi kjo është në kundërshtim me normat dhe parimet e BE-së, por edhe me normat ligjore në vend.
 
“Tashmë botërisht dihet se pengesë për proceset eurointegruese nuk është vetëm kontesti me Greqinë për çështjen e emrit. BE-ja ka notuar shumë vërejtje. Shumë herë, si për punën e pushtetit ekzekutiv, si për gjyqësorin, si për mungesën e lirisë së shprehjes dhe mediave të pavarura, si për administratën skajshmërisht të partizuar, si për korrupsionin e kështu me radhë. Fatkeqësisht asnjëra prej këtyre vërejtjeve nuk u mor seriozisht nga ana e pushtetit dhe nuk u bë asgjë”- deklaroi Meral Ferati nga PDSH.    
   
“Me plot përgjegjësi e them dhe me objektivitet do të mundohem t’i pranojmë sugjerimet, që mund t’i bëjmë deri në fund të vitit, deri në dhjetor, kur pritet Këshilli i Evropës të mbahet dhe të diskutohet për progresin e Maqedonisë, pasi që kjo është mbi interesin partiak, mbi atë që unë përfaqësoj si anëtar i BDI-së në Qeverinë e RM-së. Ajo që është interes i qytetarëve. Dhe prandaj këtu normalisht do të kisha pritur edhe komente edhe sugjerime edhe kritika për atë që mund të bëjmë në periudhën që vjen deri në dhjetor, por edhe gjatë vitit 2015”- deklaroi zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Fatmir Besimi.
 
Zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Fatmir Besimi, para anëtarëve të Komisionit për Çështje Evropiane dhe përfaqësuesve të Bashkësisë Ndërkombëtare i prezantoi arritjet dhe shkallën e realizimit të Programit Nacional për Miratimin e të Drejtës së Bashkimit Evropian, rishikimi i tremujorit të tretë për vitin 2014.
 
Pas publikimit të Raportit të Komisionit Evropian për progresin e vendit, ka filluar rishikimi i Programit Nacional për Miratimin e të Drejtës së Bashkimit Evropian, rishikimi për vitin 2015, ku do të definohen aktivitetet afatshkurtra dhe afatmesme, që do të bazohen në rekomandimet e Raportit të Komisionit Evropian.
 
SHPËTIM NUREDINI