Botë

Digjet një xhami në afërsi të “Malit të Tempullit”

12.11.2014 16:04

Një grup ekstremist i kolonëve hebrenj dogjën një xhami në bregun e pushtuar perëndimor, në orët e hershme të mëngjesit...

Kati i parë i xhamisë në fshatin Al-Mogheer u dogj plotësisht dhe kati i dytë ka pësuar dëme të pjesshme nga zjarri. Kolonët kanë shkruar dhe mesazhe urrejtjeje, si "Vdekje arabëve" dhe parulla të tjera anti-arabe në muret e xhamisë. 
 
Kryetari, Faraj Na'asan, tha se ka pasur vandalizëm të përsëritur në makina dhe ndërtesa, duke fajësuar izraelitët nga vendbanimet hebraike aty pranë.
 
"Kjo nuk është hera e parë dhe nuk do të jetë as e fundit që kolonët të sulmojnë një vend të shenjtë dhe në veçanti duke marrë parasysh sulmet e ditëve të fundit ndaj xhamisë “Al-Aksa”. Ne po përballemi me një kohë të vështirë, kështu që duhet të bashkohemi për të rritur mundësitë e ekzistencës së njerëzve në vendin e tyre. Rreth orës tre të mëngjesit, një nga fqinjët i cili jeton në afërsi të xhamisë, na mori në telefon dhe na tregoi se zjarri e ka kapluar xhaminë. Kërkuam nga të gjithë fshatarët të na ndihmojnë në shuarjen e zjarrit. Por, fatkeqësisht ne nuk kishim mundësi ta shuajmë zjarrin para se të vinin zjarrfikësit. Zjarri ka shkatërruar çdo gjë në brendi të xhamisë”- deklaroi kryetari, Faraj Na'asan.
 
Izraelitët ultra-nacionalist thonë se këto janë “çmimet” që duhen paguar palestinezët për “dhunën”. Ushtria izraelite ka arrestuar edhe shtatë palestinezë nga pjesë të ndryshme të bregut perëndimor gjatë natës. 
 
Ndryshe, për myslimanët “Al-Aksa” përfaqëson vendin e tretë të shenjtë në botë, ndërsa hebrenjtë, nga ana e tyre, i referohen zonës si "Mali i Tempullit", duke pretenduar se ishte vendi i dy tempujve hebre në kohët e lashta.
 
LEUNORA KALIQI