Maqedoni
Çarshia e Vjetër, atraksion për bizneset turke
12.11.2014 16:09
Biznesmenët turq kanë interesim të madh për të investuar në Shkup, vendi më i përshtatshëm për ta është në Komunën e Çairit, kryesisht në Çarshinë e Vjetër të Shkupit...

Kështu vlerësoi ambasadori i Turqisë në Maqedoni, Onur Sholendil, gjatë takimit me kryetarin e Komunës së Çairit, Izet Mexhitin.
Ky i fundit thotë se investimet në këtë zonë do të mundësojnë përfitime të shumta për qytetarët dhe zhvillim më të mirë ekonomik të komunës.
“Theksi kryesor është tek bashkëpunimi ekonomik, tek ndihma e Shtetit turk, theksi kryesor është vënë edhe mbi Çarshinë e Vjetër të Shkupit, e cila është çarshia më e madhe në Ballkan, me mbi 700 dyqane, ku në kohërat e mira kanë siguruar ekzistencën mbi 10 mijë qytetarë. Pra, Çarshia e Vjetër nuk paraqet monument historik, po paraqet potencial ekonomik, sepse Çairi karakterizohet me ekonomi familjare dhe ekonomi të vogla, nga cilat mbijetojnë dhe sigurojnë ekzistencën qytetarët e Çairit. Morën premtimin nga ambasadori i R. T. në Maqedoni, që edhe më fuqimisht Shtetit turk të jetë prezent në Çarshinë e Vjetër të Shkupit me projekte konkrete, por edhe me projekte tjera ekonomike në Komunën e Çairit”- deklaroi kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
Për shkak të gjallërisë dhe lëvizshmërisë së madhe në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, disa kompani turke nga sfera e prodhimtarisë veç më po e skanojnë terrenin në fjalë.
“Ne jemi të vendosur dhe me këmbëngulje do të vazhdojmë bashkëpunimin me Maqedoninë, Shkupin, me Komunën e Çairit, qoftë ajo në aspektin e projekteve kulturore, por edhe në aspektin ekonomik. Disa kompani turke veç më kanë realizuar disa investime në Maqedoni, ndërsa në periudhën e ardhshme disa kompani private prej Turqisë synojnë të realizojnë investim në fushën e prodhimtarisë dhe ne i përkrahim ato”- tha ambasadori i R. Turqisë në Maqedoni, Onur Sholendil.
Shkëmbimi ekonomik ndërmjet Turqisë dhe Maqedonisë momentalisht është rreth 400 milion dollarë, me synim që në të ardhmen kjo shumë të arrijë vlerën e 1 miliard dollarëve.
REXHEP QAMILI
