Botë
Rama: Hodha “dronin e dytë” në Beograd
12.11.2014 16:38
Pak orë pas mbërritjes në Tiranë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur për vizitën e tij dyditore në Serbi...

Pak orë pas mbërritjes në Tiranë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur për vizitën e tij dyditore në Serbi, duke deklaruar se shërbeu për të thyer akujt që ekzistonin prej rreth 7 dekadash mes dy vendeve.
Ai ka falënderuar palën serbe për organizimin, ku edhe tha se nuk është aspak e vërtetë se ishte rënë dakord që të mos përmendej Kosova gjatë takimit.
“Ishim plotësisht të qetë për një mision jo të lehtë, ku u thye një akullnajë e shtresëzuar nga dekada të gjata luftërash, konfliktesh e ndasish në mes të Evropës. Ne shkuam në Beograd me dorën e shtrirë të miqësisë dhe sot jemi më afër. Për t’u bërë miq të vërtetë do të duhet kohë më e gjatë, por partneriteti serioz dhe bashkëpunimi për interesat e secilës palë nuk presin. Ne do angazhohemi intensivisht, duke qenë të vetëdijshëm, duke komunikuar me mbarë botën. Kjo është një kohë e re e jashtëzakonshme paqeje për Ballkanin, për të bërë të mundur që gjenerata tjetër të mos i trashëgojë traumat e një periudhe të gjatë luftërash, konfliktesh e ndasish mes shqiptarëve e serbëve në Ballkan”- deklaroi Rama.
Sa i përket vizitës tjetër të Ramës, e cila pritet të zhvillohet në muajin dhjetor, kryeministri e la të hapur si çështje.
Ai shprehu dëshirën që Vuçiç ta mbajë fjalën duke e vizituar Shqipërinë vitin tjetër.
Sa i përket deklaratave se vizita e Ramës ishte “droni i dytë” për Beogradin, kryeministri shqiptar doli me përgjigjen:
“U bëmë familje dronash më duket, meqë e hodhi vëllai im të parin, s’mund të rrija dhe unë pa e hedhur të dytin”- tha Rama.
Kryeministri, Edi Rama, në vizitën e 10 nëntorit e shprehu hapur qëndrimin e tij se Serbia duhet ta njohë Kosovën, duke sjellë reagimin e homologut të tij serb, i cili hoqi kufjen gjatë konferencës për shtyp dhe nuk i dha dorën në fund të saj.
LULJETA NDOKA
