Maqedoni
Pendarovski: Nuk guxojmë t’i injorojmë të drejtat e njeriut
10.12.2020 14:18
Jemi të obliguar që të japim mbështetje të plotë për ata që luftojnë për të drejtat e njeriut dhe nuk guxojmë të injorojmë çfarëdo lloj mosrespektimi...

Jemi të obliguar që të japim mbështetje të plotë për ata që luftojnë për të drejtat e njeriut dhe nuk guxojmë të injorojmë çfarëdo lloj mosrespektimi e të drejtave themelore të njeriut, që mund të eskalojë në cilëndo formë të dhunës ka porositur presidenti i vendit Stevo Pendarovski me rastin e 10-Dhjetorit- Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.
“Këtë vit, Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut e festojmë në kohën e pandemisë së Kovid-19 e cila e theksoi edhe më tepër rëndësinë e respektimit të të drejtave të të gjithë njerëzve, pa dallim të gjinisë, racës, kufizimit, fesë, bindjes politike, orientimit seksual, prejardhjes kombëtare apo sociale, statusit social apo status tjetër.”,- ka shkruar presidenti.
Grubi: MO ka shënuar kthesë për të drejtat e njeriut
Zv/kryeministri i parë, Artan Grubi, ka deklaruar se barazia në të gjitha sferat e jetës është themeli mbi të cilin duhet t'i ndërtojmë politikat moderne të së ardhmes. Sipas tij nëpërmjet MO-së vendi ka shënuar kthesë në realizimin e të drejtave për të gjitha bashkësitë etnike të vendit.
“MO është momenti i kthesës i realizimit të drejtave të bashkësive etnike jo vetëm të shqiptarëve por të gjithë të tjerëve përfshi edhe komunitetin shumicë maqedonas, sepse MO krijoi mekanizmat praktik të realizimit të tyre. Parimi i Badinterit ishte zgjidhja konsensuale që kishte munguar që nga pavarësia e vendit. Mbivotimi, margjinalizimi ishte pjesa kryesore që përbënte procesin e kohezionit shoqërorë e respektimit të diversiteteve.”,- tha zëvendëskryeministri i parë i RMV-së, Artan Grubi.
Carovska: Arsimi cilësor, thelbi i të drejtave të njeriut
Arsimi përbën thelbin e të drejtave të njeriut ka deklaruar ministrja e arsimit Milla Carovksa pasiqë me arsim cilsorë ndërtojmë qytetarë me vlera të larta shoqërore.
“Çdo fëmijë patjetër të ketë të drejtën e arsimimit cilësorë me kohë dhe të ketë qasje me mundësi të barabarta me qëllim që çdo fëmijë të ngrihet në qytetarë dhe me fuqinë e dijës të arrijë zhvillim individual dhe shoqërorë. Jam krenare që edhe në kushte të pandemisë dhe në kushte shumë të vështira prindërit dhe kuadri mësimdhënës mundësojmë që mësimi të vazhdojë dhe të jetë qasës për të gjithë nxënësit.”,- u shpreh ministrja e arsimit, Mila Carovska.
Guteresh: Pandemia me implikime mbi të drejtat e njeriut
Sipas Sekretari i Përgjithshëm i KB-së, Antonio Guteresh, pandemia në rrafshin ndërkombëtar ka forcuar dy të vërteta thelbësore lidhur me të drejtat e njeriut. Sipas tij, implikime ka pasur tek kategoritë e rrezikuara përfshi punëtorët në fronte, personat me nevoja të posaçme, te të moshuarit, gratë, vajzat dhe pakicat dhe ka përparuar sepse varfëria, pabarazia, diskriminimi dhe shkatërrimi i mjedisit natyror kanë krijuar brishtësi të madhe në shoqëri.
“Në të njëjtën kohë, pandemia ka minuar të drejtat e njeriut duke dhënë një justifikim për reagime të ashpra të sigurisë dhe masa shtypëse që kufizojnë hapësirën civile dhe lirinë e medias. E vërteta e dytë e theksuar nga pandemia është se të drejtat e njeriut janë universale dhe na mbrojnë të gjithëve. Përgjigja efektive ndaj pandemisë duhet të bazohet në solidaritet dhe bashkëpunim.”,- theksoi sekretari i përgjithshëm i KB-së, Antonio Guteresh.
Në mbarë botën kjo datë shënohet si Dita Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, si një përkujtim i përvitshëm i Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, e cila u miratua në 10 dhjetor të vitit 1948 nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së.
NAIM RAMADANI
