Maqedoni
Sofje, Buçkovski takoi kryeministrin bullgar
10.12.2020 15:51
Parlamenti bullgar riemërtoi festën "24 maj - Dita e Arsimit dhe Kulturës Bullgare dhe Shkrimit Sllav....

Parlamenti bullgar riemërtoi festën "24 maj - Dita e Arsimit dhe Kulturës Bullgare dhe Shkrimit Sllav. Tani e tutje, kjo festë do të njihet si “24 maj - Dita e Vëllezërve të shenjtë Kirili dhe Metodi, për alfabetin bullgar, arsimin dhe kulturën dhe për letërsinë sllave". Ky riemërim i festës vjen në kohën kur përfaqësuesi special për negocime me Bullgarinë, Vllado Buçkovski, ka realizuar takimin e tij të parë me kryeministrin bullgar, Bojko Borisov. Gjatë takimit me Buçkovksin, Borisov ka thënë se vendi i tij po bën gjithçka që vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian dhe është bërë shumë në atë drejtim.
"Diçka ka ndodhur 6 muaj më parë, ndoshta zgjedhjet tuaja, problemet tona të brendshme, këtu është Kovidi që ndryshoi të gjithë botën. Maqedonia e Veriut është një shtet sovran dhe mund të vendosë vetë se çfarë gjuhe dëshiron të flasë. Ne në Bullgari kemi vendosur të flasim bullgarisht dhe kështu flasim. Në Maqedoninë e Veriut ju mund të vendosni se si dëshironi të flisni dhe askush nuk mund t'ju udhëzojë dhe t'ju imponojë se cilën gjuhë të flisni.”,- deklaroi kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov.
Përfaqësuesi special, Vllado Buçkovski, pranoi se besimi midis të dy palëve ishte dëmtuar, por ka ardhur koha që të bindet edhe BE-ja se edhe shtetet ballkanike mund të arrijnë kompromis pa pasur nevojë për negociues nga jashtë.
“Emri ynë kushtetues - Republika e Maqedonisë Veriore, nuk do të thotë që ne kemi pretendime territoriale dhe mosndërhyrja në punët tuaja të brendshme është pjesë e Marrëveshjes së Miqësisë dhe ne do ta respektojmë atë. Ti lëmë historianët të bëjnë punën e tyre.",- u shpreh përfaqësuesi special për negocime me bullgarinë, Vllado Buçkovski.
Kontesti me Bullgarinë vazhdon të përplas VMRO-në dhe LSDM-në
Ndërkohë, lideri opozitar, Hristian Mickoski, vazhdon të akuzojë kryeministrin Zaev se po negocion për identitetin maqedonas dhe kërkon qeveri ekspertësh dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare. Mickoski gjithashtu kërkon miratimin e një memorandumi në Kuvend lidhur me çështjet e identitetit.
Ndaj kërkesave të Miskoskit ka reaguar zëdhënësi i LSDM-së, Kostadin Kostadinov, i cili tha se janë zbuluar gënjeshtrat e VMRO-DPMNE-së se është shitur identiteti maqedonase.
“Identiteti maqedonas nuk është shitur por është mbrojtur, ndërsa shteti ynë nuk është shpërbërë siç gënjente Mickoski. Përderisa ne punuam për qytetarët dhe i mbronim qëndrimet shtetërore, të ardhme evropiane dhe identitetin maqedonas, Mickoski shpërndante lajme të rreme.”,- theksoi zëdhënësi i LSDM-së, Kostadin Kostadinov.
Kostadov ftoi Mickosikin që t’u kërkojë falje qytetarëve për të gjitha gënjeshtrat, shpifjet dhe histeritë e shkaktuara.
SANIJE DURAKU
