Maqedoni

Kumanovë, FDLNJ shënoi 10 dhjetorin - Ditën Botërore për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut

10.12.2020 16:39

Me rastin e 10 dhjetorit - Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, Forumi për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut sot në Kumanovë....

Me rastin e 10 dhjetorit - Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, Forumi për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut sot në Kumanovë mbajti një konferencë për shtyp, ku shpalosi një sërë shkeljesh të të drejtave të njeriut në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
 
“RMV, nëse dëshiron të hyjë në BE, duhet me patjetër t’i respektojë të drejtat dhe liritë e njeriut e gjithashtu edhe t’i rishqyrtojë proceset e montuara, siç janë: Rasti “Monstra”, “Alfa”, si dhe rasti i “Lagjes së Trimave”, unë u them se bota, Evropa dhe i gjithë Ballkani ka nevojë për mendje të shëndoshë, mirëkuptim, dialog, paqe e barazi, me qëllim krijimin e kushteve të mira dhe siguri për jetën e njerëzve.”,- tha kryetari i nderit të “FDLNJ” – RMV, Idriz Sinani.
 
Nga ana tjetër, kryetari i këtij forumi, Adil Mustafa, u ndal tek të drejtat e shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, i cili tha se nëse dëshiron RMV të zhvillohet dhe të hyjë në BE, së pari duhet të respektojë të drejtat e shqiptarëve si komb shtetformues.
 
“U ndryshua emri i shtetit, nuk arritën që shqiptarët të janë shtetformues, gjuha shqipe është me përqindje, edhe këtu kemi shkelje të të drejtave të shqiptarëve, andaj u bëjë thirrje të gjitha partive politike që të veprojnë si një trup për të drejtat e shqiptarëve, deri tani vetëm janë mashtruar shqiptarët, nuk mund të kemi të drejta me një shtet qeverisës unitar, sepse kjo nënkupton vetëm shtet i maqedonasve, për të funksionuar gjitha shqipe, për të qenë të barabartë atëherë duhet të jenë shtet formues dhe gjuha shqipe duhet të jetë zyrtare në nivel të shtetit”,- tha mes tjerash kryetari i Forumit për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, Adil Mustafa.
 
Dhe krejt në fund nga ky forum, paralajmëruan se nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre, ata do të dalin me protesta.
 
FATLUM AQIFI