Maqedoni
Quçuk: RMV dhe Bullgaria, të vazhdojnë bisedimet. Osmani: Të dëshpëruar, por vazhdojmë rrugën evropiane
10.12.2020 18:33
Eurodeputeti, Ilhan Quçuk, i cili njëherit është edhe raportues për RVM-në...

Eurodeputeti, Ilhan Quçuk, i cili njëherit është edhe raportues për RVM-në, prezantoi raportin e tij të përparimit para Komitetit për Punë të Jashtme, me ç’rast shfaqi shpresë se do të gjendet zgjidhje për mosmarrëveshjet me Bullgarinë.
Në debatin e mbajtur online me eurodeputetët nga Komisioni i Parlamentit Evropian, pjesë e së cilës ishte edhe ministri i punëve të jashtme, Bujar Osmani, Quçuk nuk e mohoi faktin se janë të nevojshme reformat e shpejta në disa fusha, por beson se Qeveria ka kapacitet të vazhdojë rrugën drejt integrimit në BE.
"Unë besoj fuqishëm se së shpejti do ta kapërcejmë këtë ngërç dhe do të shkojmë përsëri në drejtimin e duhur. Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut duhet të bëjnë përpjekje për të zgjidhur problemet, sepse ky stagnim jo vetëm që dëmton besueshmërinë e BE-së, por gjithashtu ka një ndikim të drejtpërdrejtë negativ në vendet tona. Unë besoj se të dy palët do të vazhdojnë bisedimet konstruktive, sepse përndryshe, ne shohim një zhvillim alarmant të situatës, përkatësisht nacionalizmin në rritje dhe gjuhën e urrejtjes.”,- tha raportuesi për RMV-në, Ilhan Quçuk.
Shefi i diplomacisë, Bujar Osmani, ripërsëriti se marrëveshja për fqinjësi të mirë është baza më e mirë për bashkëpunimin e mëtejshëm me Sofjen.
"Marrëveshja e miqësisë me Bullgarinë është një formulë për sukses, mosmarrëveshjet janë emocionale dhe është e vështirë të arrihet një qasje racionale me emocione, veçanërisht në periudhën parazgjedhore. Për vetëm 18 muaj janë realizuar 11 takime të komisioneve interdisciplinore dhe janë arritur dy marrëveshje për periudha historike dhe pesë figura historike.”,- tha Osmani.
Osmani gjithashtu tha se vendi nuk do të heq dorë nga rruga e eurointegrimeve edhe përkundër dëshpërimeve dhe se do të vazhdojë të punojë në reformat, që të jetë e gatshme për ditën kur do të marrë dritë jeshile nga BE-ja. Për Maqedoninë nuk ka alternative tjetër, tha Osmani.
SANIJE DURAKU
