Maqedoni

Nju Jork, raund i ri i bisedimeve për emrin

12.11.2014 17:34

Sot, në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork do të mbahet takimi i radhës mes kryenegociatorëve të Maqedonisë dhe Greqisë me ndërmjetësuesin e Kombeve të Bashkuara...

Sot, në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork do të mbahet takimi i radhës mes kryenegociatorëve të Maqedonisë dhe Greqisë me ndërmjetësuesin e Kombeve të Bashkuara, Metju Numic, për gjetjen e zgjidhjes së çështjes së emrit të Maqedonisë.
 
Ndërmjetësuesi Nimic, fillimisht do të zhvillojë takime të ndara me negociatorin e Maqedonisë, Vasko Popovski dhe me atë të Greqisë, Adamantios Vasilakis dhe më pas do të zhvillohet edhe takim i përbashkët. Ende nuk dihet asgjë zyrtare nëse Nimic do të japë një propozim të ri për zgjidhjen e emrit.
 
Por, ditëve të fundit, mediat në vend kanë shkruar rreth dokumentit që ka publikuar Rrjeti i Gazetarisë Hulumtuese “BIRN”, në të cilin shkruhet: “Republika e Epërme e Maqedonisë ka qenë propozimi që ndërmjetësi i OKB-së, Metju Nimic, do t’u ofronte palëve për kontestin”.
 
Dokumenti zyrtar i siguruar nga “BIRN”, të cilin Nimic ua ka dorëzuar negociatorëve, mban datën 9 prill të vitit 2013 dhe në të thuhet: “Republika e Epërme e Maqedonisë” për emrin e shtetit dhe “maqedonase” për shtetësinë.
 
Këto kanë qenë dy zgjidhjet që ndërmjetësi propozonte, por propozimi nuk do të pranohet. “BIRN” mëson se propozimi ka qenë pjesë e një plani më të gjerë ndërkombëtar për zhbllokimin e integrimeve, koordinator joformal i së cilës ka qenë ish-komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule. 
 
Në vjeshtë të vitit 2012, ai u ka propozuar vendeve anëtare të BE-së që të miratojnë fillimin e negociatave për anëtarësim me BE-në, me kusht që kontesti i emrit të zgjidhet në periudhë prej 1 apo 2 vitesh.
 
Plani ka dështuar si pasojë e ngjarjeve të 24 dhjetorit 2012, kur policia hoqi me dhunë deputetët e opozitës nga salla plenare e kuvendit.
 
MEFAIL ISMAILI