Gërxhaliu: Imazhet satelitore amerikane zbuluan varrezat masive të shqiptarëve në Serbi

12.12.2020 14:02

Imazhet satelitore të ushtrisë amerikane...

Imazhet satelitore të ushtrisë amerikane kanë zbuluar varrezat masive me trupat e kosovarëve të masakruar që janë dërguar në varreza masive në Serbi, bëjnë të ditur nga Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit në Kosovë.

Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, bëri të ditur se të premten është mbyllur varreza në Kizhevak, lokacion ku po punohet prej 5 vitesh.

“Janë tri grupacione që i kanë përdorur për fshehjen e krimit, ujërat, minierat dhe vendet e ashtuquajturat varreza civile, të cilat është menduar se nuk do të gjenden pas luftës. Meqenëse bëhet fjalë për një miniera që janë hedhur gurë, atëherë logjikisht është ndërruar relievi i cili ka sjellë deri te telashet që kemi pasur në këto 5 vite, sepse nuk kemi mundur të rastisim në vendet e sakta të lokacionit. Duke iu falënderuar imazheve satelitore amerikane, të cilat janë siguruar përmes kryqit të kuq ndërkombëtar, janë gjetur edhe koordinata të saktë të varrezave do të thotë me gjetjen e të njëjtës.”,- deklaroi drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore – Kosovë, Arsim Gërxhaliu.

Sipas Gërxhaliut, pas marrjes së mostrave për ADN, do të dalin edhe rezultatet e identifikimit për eshtrat e gjetura deri më tani që mendohet se janë të 5 personave.

“Janë tërhequr ato pjesët kockore të cilat kanë qenë faktikisht në sipërfaqe pas gjetjes, të njëjtat janë egzaminuar në aspektin mjeko-ligjor, janë marrë mostrat për AND dhe para se t’i qasemi punës në pranverë do të kemi edhe rezultatet e identifikimit, me çka do ta dimë edhe cilit regjion i takojnë. Mund të bëhet fjalë për 4 apo 5 persona të cilët janë tërhequr nga ai lokacion.”,- tha drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore – Kosovë, Arsim Gërxhaliu.

Aktivitetet për kërkimin e të pagjeturve do të vazhdojnë në pranverë, ndërsa përveç në Serbi, janë bërë kërkime edhe në 7 lokacione në Kosovë.

Në Kosovë pas luftës janë regjistruar më shumë se 6 mijë persona të zhdukur, ndërsa aktualisht në lisën e të pagjeturve janë edhe mbi 1630 persona. (Gyltene Sinani, TVM2)