Zgjedhjet në Shtip, votojnë të sëmurët dhe të burgosurit

12.12.2020 15:15

66 votues të cilët janë regjistruar si të sëmurë ose të dobët....

66 votues të cilët janë regjistruar si të sëmurë ose të dobët, ose që janë nën arrest shtëpiak, shfrytëzojnë sot të drejtën e tyre për të votuar për kryetarin e ardhshëm të Shtipit.

Një ditë para së dielës, ku edhe pritet të votojnë qytetarët tjerë nga kjo komunë, votimi sot në njëjtën kohë u zhvillua edhe në institucionet e vuajtjes së dënimit në territorin e RMV-së, nga të cilët 67 votues janë paraqitur nga komuna e Shtipit. Servisi Publik ishte në lagjen “Makdonka” nga ku përcjelli nga afër procesin e votimit.

“Gjithsej në këtë vendvotim ka 820 zgjedhës, në një listë të veçantë janë plus edhe 36 persona tjerë dhe në total janë 856 votues. Dje të sëmurët nga Covid, respektivisht të izoluar, kanë votuar 2 persona. Me prezencë të Komisionit edhe ata e kanë realizuar të drejtën e tyre. Sot kemi 5 persona që votojnë nga shtëpitë tyre.”,- tha anëtari i Komisionit Komunal Zgjedhor.

Stojna Zdravevska është nga qytetaret që voton rregullisht kur mbahen zgjedhjet. Dikur ka votuar në shkollën fillore ku mbahen zakonisht procesi i votimit, por për shkak të problemeve shëndetësore tash për të tretën radhë ajo voton nga shtëpia.

“Të jetë mirë. Cilido që të vijë le të jetë i mirë.”,- tha votuesja Stojna Zdravevska.

Në total numri i personave me të drejt vote është mbi 41 mijë qytetarë, njoftojnë nga KShZ.

“Të drejtë vote në komunë e Shtipit kanë gjithsej 41.777 qytetarë të moshës madhore. Censusi arrihet në atë mënyrë që një e treta e votuesve në listë zgjedhore të dalin të votojnë. Nëse nuk arrihet ajo dalje, zgjedhjet përfundojnë dhe vendoset raund i ri, pra proces i ri zgjedhor me shpallje në Gazetën Zyrtare.”,- u shpreh kryetarja e KKZ-së - Shtip, Senka Andreeva.

Të premten për zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale për kryetar të  komunës të drejtën për të votuar e shfrytëzuan personat e sëmurë me Covid-19 si dhe ata që ishin nën izolim. Të dielën do të votojnë të gjithë qytetarët me të drejtë vote.

Ndërsa për dallim nga zgjedhjet parlamentare, në këto zgjedhje nuk do të ketë orar të zgjatur për votim, përkatësisht kutitë e votimit do të mbyllen në orën 19:00. Zgjedhjet në Shtip dhe Pllasnicë vijnë si rezultat i ikjes së krerëve të komunave për pozita në nivel qendror. (Zekirja Mexhiti, TVM2)