Banorët e Strugës në protestë për problemet me ujin
Banorët të revoltuar sot protestuan....

Banorët e Strugës të revoltuar sot protestuan për problemet disa vjetore të ujit në qytet. Sistemi i furnizimit të ujit në Strugë tashmë ka disa muaj që ka probleme dhe ka ndërprerje të ujit të pijshëm.
Banorët e Strugës ankohen se në kohë pandemie nuk mund të mbajnë higjienën personale. Ata gjithashtu thonë se blejnë ujë për pije, ndërsa për nevojat e përditshme mbushin ujë me shishe, për shkak se pas orës 8 në mbrëmje nuk ka asnjë pikë uji dhe ndërpritet pa lajmëruar.
“Tani duhet të presim që të bjerë shi, t'i lutemi Zotit, që të ketë ujë. Nuk mund të arsyetohen duke thënë se ishte sezoni i thatë, sepse shi nuk kishte askund, në të gjithë rajonin, ndërsa të gjithë kanë ujë, vetëm ne në Strugë nuk kemi.”,- tha një qytetar.
"Problemi nuk është vetëm kufizimet që bëhen gjoja për shkak të mungesës së ujit, problemi është që ne kemi mungesë të ujit çdo ditë për shkak tubave të plasura, ujit të ndotur.",- theksoi një qytetar.
Qyteti që ndodhet në dy ujëra, në lumin Drini i Zi dhe liqenin e Ohrit, po përballet me probleme të furnizimit me ujë për gati një dekadë. Qytetarët kërkojnë që autoritetet të gjejnë zgjidhje, përndryshe nuk do të paguajnë faturat.
“Ky problem i ujit ekziston prej vitesh, kështu që nuk është vetëm kjo periudha, verës për tre muaj të tërë nuk kemi ujë dhe së fundmi në nëntor dhe dhjetor kemi probleme me furnizimin me ujë.",- u shpreh një qytetar.
“Kemi nevojë për më shumë protesta masive, rrugë të bllokuara, sepse ky problem nuk po zgjidhet. E kemi këtë problem për shumë vite, në kohë pandemi nuk mund të lash duart.”,- potencoi një qytetar.
Në protestë kishte edhe disa banorë të fshatit Belicë e Poshtme, të cilët po ashtu thanë se kanë probleme me furnizimin e ujit të pijshëm dhe kërkojnë zgjidhje të problemit.
“Në Belicë nuk ka prej më 10 deri në 6 në mëngjes, mund të jetë tek “Proakva” problemi, ose të bëjë zgjidhje “Proakva”, o të bëjë zgjidhje katundi.”,- u shpreh një qytetar.
Nga ujësjellësi në Strugë thonë se problemi i furnizimit me ujë vjen si pasojë e sezonit të thatë, rrjeteve të vjetra të ujësjellësit, por edhe ndotja e burimeve nga termocentralet. (Ilmije Zhaku, TVM2)
