Policia mbylli një lokal në Tetovë, 642 shkelje për mosmbajtje të maskës në RMV

12.12.2020 16:37

Policia mbylli një lokal në Tetovë...

Policia mbylli një lokal në Tetovë për shkak të mosrespektimit të masave kundër virusit Korona. Mbrëmë, rreth orës 22:35, në një objekt hotelier, në fshatin Zherovjan të Tetovës, gjatë një kontrolli të përbashkët midis policisë dhe Inspektoratit Shtetëror të Tregut, është hasur në rreth 40 persona brenda objektit. Policia ka arrestuar pronarin e objektit, 31-vjeçarin H. A. nga fshati Bogovinë. Ai do të përballet me akuzën për kryerjen e veprës penale “Mosveprim sipas rregullave shëndetësore gjatë epidemisë” si dhe “Trafikim i qenieve njerëzore”.

Policia gjithashtu ka arrestuar dy persona të tjerë brenda objektit. Është arrestuar 30 vjeçari I. D. nga Tetova, pasi tek i njëjti është kapur materie e bardhë në formë të pluhurit si dhe 21-vjeçari E. Z. nga Sedllarca tek i cili është gjetur marijuhanë.

Në objekt janë arrestuar edhe shtatë shtetase të Serbisë, një shtetase e Bullgarisë, si dhe dy shtetase të Maqedonisë së Veriut. Inspektorati Shtetëror i Tregut ka mbyllur objektin ndërsa pas dokumentimit të plot të rastit do të parashtrohet padi konkrete, bën të ditur policia.

Njëherit bëhet e ditur se gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë territorin e vendit janë regjistruar 642 shkelje për mosmbajtje të maskës për mbrojtje nga Covid-19. (Naim Ramadani, TVM2)