Protesta të dhunshme në Shkodër
Kanë vijuar të dhunshme protestat për vrasjen e Klodian Rashës....

Kanë vijuar të dhunshme protestat për vrasjen e Klodian Rashës nga një efektiv policie. Situata ka degjeneruar në dhunë në qytetin e Shkodrës, ku protestuesit kanë djegur selinë e Partisë Socialiste.
Që në fillim të grumbullimit ka pasur plasje të kapsollave nga disa të mitur, të cilët duke lëshuar thirrje kundër qeverisë, kanë thyer më pas xhamat e selisë së PS-së. Ata nuk janë mjaftuar me aq, por kanë nisur të shkatërrojnë çdo gjë, madje edhe brenda godinës. Ajo që u vu re gjatë protestës ishte pjesëmarrja në masë e të rinjve, por edhe e kryetares së Partisë Demokratike për Shkodrën, Voltana Ademi.
Pas djegies së dokumenteve dhe objekteve të selisë së PS-së në epiqendrën e veriut, kanë ndërhyrë Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilat kanë vendosur një barrikadë rreth institucionit, duke zmbrapsur dhe larguar disi të rinjtë, që shkatërruan dhe dogjën gjithçka u doli para.
Pas kësaj ngjarjeje ka reaguar kryeministri Edi Rama, duke e drejtuar gishtin nga opozita.
“Terroristët e Boko Haramit i përdorin fëmijët si kamikazë, nuk janë të parët në radhën e abuzuesve të minorenëve! Historia njeh disa raste kriminale me fëmijët, por që të shfaqej në Shqipëri si streha e fundit e maskarallëkut të politikës opozitare, kjo është tejet e dhimbshme!”,- shkruan Rama.
Ndërkohë, në orën 18:00 pritet që të zhvillohet një tjetër protestë në Tiranë, për vrasjen e 25-vjeçarit, nga efektivi i Shqiponjave.
