Qendrat turistike në Strugë dhe Ohër, pa organizime për festat e fundvitit

13.12.2020 14:04

Qendrat turistike në Strugë dhe Ohër për festat e fundivitit...

Qendrat turistike në Strugë dhe Ohër për festat e fundivitit do të mbesin bosh. Ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit për shkak të pandemisë tek hotelet në brigjet e Liqenit të Ohrit nuk ka fare rezervime nga mysafirë të huaj as edhe të vendit, ndërsa interes ka vetëm për apartamente dhe vila të vogla me qera nga të rinjtë e vendit. Gjithashtu, siç pritej, në objektet hotelierike nuk do të ketë as organizime për Vit të Ri.

“Rezervime nuk ka fare, edhe për shkak se shumica e hoteleve kanë vendosur të mos kenë fare organizime për natën e Vitit të Ri.  Që ka interesim për vila private apo apartamente e shohim kohët e fundit në rrjetet sociale që kërkohen, por me shumë gjasa kush ka shtëpi të mëdha dhe vend do të festojnë nëpër shtëpi.” – tha Kryetari i HOTAM, Kërste Bllazheski.

Ohri dhe Struga vitet e fundit kanë qenë destinacione tërheqëse turistike që kanë tërhequr mijëra mysafirë nga Ballkani për festat e Vitit të Ri, por për shkak të rritjes së numrave të të nfektuarve, mysafirët stepen.

“Më përpara në këtë periudhë kemi pasur shumë kërkesa, rezervime, më së shumti vendet fqinje, Bulgaria, Serbia, Shqipëria, Greqia, Mali i Zi, por këtë vit nuk kemi asgjë nga to, besoj që ende është frika, ende ndikon ajo që jemi vendi me numrat më të lartë të të infektuarve.” – u shpreh Bllazheski.

Vitet e kaluara Struga dhe Ohri shkëlqenin për festat e fundvitit me të gjitha zbukurimet në qytet. Këtë vit nuk do të ketë as organizime në sheshet e qyteteve, ndërsa paratë do të përdoren për të mbuluar pasojat e pandemisë.

Ndërkohë inspektimi ka paralajmëruar se kontrollet për festat e fundvitit do të jenë edhe më të rrepta, ndërsa nesër do të vendoset nëse nëse oraret e objekteve hotelierike do të shkurtohen edhe më shumë. (Ilmie Zhaku, TVM2)