Botë, mbi 72 milion të infektuar nga “Covid19”
Numri i rasteve me të infektuar me virusin Korona....

Numri i rasteve me të infektuar me virusin Korona në mbarë botën ka shkuar në mbi 72 milionë, prej të cilave 20 milion raste janë aktive, ndërsa mbi 106 mijë pacientë e kanë jetën në rrezik.
Numri më i madh i rasteve është regjistruar në SHBA, me gjithsej 16.496.348 raste deri më tani, e cila pasohet nga India, Brazili, Rusia, Franca, Britania e Madhe, Italia, Turqia, Spanja, Argjentina, Kolumbia, Gjermania, etj.
Për shkak të COVID-19 deri më tani në mbarë botën kanë humbur jetën 1.610.067 persona, ndërsa 50.411.543 janë shëruar duke mposhtur virusin.
Nga 16 dhjetori deri më 10 janar Gjermania kalon në një mbyllje të dytë, përjashtim të pjesshëm do të ketë vetëm për tri ditët e festave të Krishtlindjeve.
“Jemi të detyruar të veprojmë" - ka thënë Kancelarja gjermane, Angela Merkel, duke shtuar se mbyllja e lehtë që kishte filluar në 2 nëntor ka arritur një sukses të pjesshëm. Do të mbylljen dyqanet e tregtisë me pakicë, me përjashtim të dyqaneve për nevojat e përditshme.
Sa u përket Shkollave, kopshteve, dhe institucioneve të kujdesit ditor përjashtim do të ketë, sikurse në verë, vetëm për fëmijët, prindërit e të cilëve nuk kanë mundësi të kujdesen vetë për ta, sepse janë në punë ku nevojitet prania fizike.
Merkel kërkoi që kontaktet të reduktohen në maksimum. Kancelarja gjermane u bëri thirrje punëdhënësve që ose t'i lejojnë punonjësit të punojnë nga shtëpia, ose t'u japin leje, në mënyrë që të reduktohen sa më shumë kontaktet.
Ndërkohë populli amerikan do të fillojë ta marrë që këtë të hënë vaksinën e “Pfizer/BioNTech” kundër koronavirusit pasi u autorizua për përdorim urgjent.
“Tre milionë dozat e parë të saj do të dërgohen gjatë fundjavës në të gjithë shtetet”, tha gjenerali Gustave Perna, i cili po mbikqyr shpërndarjen.
Vaksina e Pfizerit ofron deri ne 95% mbrojtje kundër koronavirusit dhe u përcaktua si e sigurtë nga Administrata e Ilaçeve dhe Ushqimeve. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)
