Shkelja e armëpushimit, Azerbajxhani njofton për katër ushtarë të vrarë

13.12.2020 21:55

Zyrtarët e mbrojtjes të Azerbajxhanit...

Zyrtarët e mbrojtjes të Azerbajxhanit thanë se 4 ushtarë u vranë në luftimet e fundit në Nagorno Karabak.

Luftimet shkelen armëpushimin e arritur muajin e kaluar që i dha fund konfliktit në shkallë të gjerë. Ende nuk ka një reagim nga Armenia, ose aleatët e saj etnikë armenë ndaj deklaratës së lëshuar më 13 dhjetor nga Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit.

Deklarata azerbajxhanase nuk bëri të ditura shumë detaje, por vetëm njoftoi se vrasjet ndodhën gjatë një "operacioni anti-terrorizëm" pranë Hadrut, një rajon jugor i enklavës malore. 

Paqeruajtësit rusë që monitorojnë marrëveshjen pranuan shkeljen e armëpushimit në Hadrut, por nuk thanë se kush ishte fajtor. Nagorno Karabaku i përket Azerbajxhanit, por territori dhe disa zona përreth janë kontrolluar nga forcat etnike armene që nga fillimi i viteve 1990.

Të dyja palët janë përleshur rregullisht, por në shtator, Azerbajxhani nisi një fushatë ushtarake që rezultoi me marrjen e kontrollit të pjesës më të madhe të Nagorno Karabakut dhe rajoneve përreth.

Palët ranë dakord për një armëpushim të ndërmjetësuar nga Rusia në fillim të nëntorit. Marrëveshja mundësoi vendosjen e 2.000 forcave paqeruajtëse ruse në zonën e konfliktit.