Maqedoni

Zaev: Pandemia, sfida kryesore në 100 ditët e Qeverisë

14.12.2020 15:28

Ballafaqimi me Kovid-19 ishte sfida kryesore që e karakterizoi 100 ditëshin e qeverisjes...

Ballafaqimi me Kovid-19 ishte sfida kryesore që e karakterizoi 100 ditëshin e qeverisjes, ndërsa të gjitha resoret janë vënë në angazhim të plotë në funksion të shëndetit të qytetarëve, tha kryeministri, Zoran Zaev, gjatë llogaridhënies për 100 ditët e para të punës së Qeverisë. Ai si një nga çështjet më të rëndësishme që kërkon angazhim dhe zgjidhje e veçoi bllokadën e Bullgarisë. Për këtë nuk është fajtor vendi, tha Zaev, i cili shprehu bindjen se do të gjendet një zgjidhje dhe negociatat do të vazhdojnë. 
 
“As kjo qeveri, as vendi ynë, as njerëzit tanë nuk e kanë fajin më të vogël për këtë situatë. Identiteti kombëtar maqedonas nuk mund të jetë objekt i negociatave dhe ne nuk mund të heqim dorë nga e drejta jonë për vetëvendosje e garantuar nga të gjitha institucionet dhe konventat ndërkombëtare. Qeveria nuk do të lejojë që bllokada të shkaktoj ngecje në reformat e brendshme, përkundrazi do të rrisim ritmin, duke qëndruar plotësisht e angazhuar në negociatat me Bullgarinë. Ne e dimë që zgjidhjet janë të mundshme, të njëjtën e din edhe ata.”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
 
Grubi: Qytetarët e ndjejnë kohezionin e partnerëve në Qeveri
 
Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, tha se me krenari mund të konkludohet se kohezioni midis partnerëve qeveritarë ndihet nga të gjithë qytetarët dhe bashkësia ndërkombëtare, që nga dita e parë e punës së kësaj qeverie. 
 
“Pasi u bëmë anëtare të NATO-s, ne përfunduam pjesën normative të Marrëveshjes së Ohrit dhe zbatuam reforma urgjente sistematike, të cilat janë ringjallja ekonomike, sundimi i ligjit dhe anëtarësimi i merituar në Bashkimin Evropian së bashku me elementet mbështetëse për një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët. Marrëveshja e koalicionit është një produkt i kompromisit dhe është pjesë e zgjidhjeve më të mira për realizimin e projekteve në tre vitet e gjysmë të ardhshme. Gjithashtu nuk ka vend për ndonjë frikë nga politika jonë si partner koalicioni në Qeveri në lidhje me bllokimin e rrugës sonë drejt Bashkimit Evropian, partneri ynë i koalicionit LSDM nuk ka asnjë problem me BDI në lidhje me pozicionet mbi identitetin dhe gjuhën në negociatat me Bullgarinë.”,- u shpreh zëvendëskryeministri, Artan Grubi.
 
Edhe gjatë kohës së pandemisë, shteti do të fokusohet në investime në burime të pastra të energjisë, mbrojtje të ambientit jetësor, institucione më transparente, arsim për të gjithë, drejtësi joselektive dhe regjistrim të popullsisë gjatë vitit të ardhshëm. 
 
SANIJE DURAKU