Maqedoni

Pr/ligji për regjistrimin e popullsisë, parlamenti s’votoi në mungesë të kuorumit

14.12.2020 15:54

Parlamenti shteri debatin në lexim të parë të propozim ligjit për regjistrim të popullsisë dhe amvisërive

Parlamenti shteri debatin në lexim të parë të propozim ligjit për regjistrim të popullsisë dhe amvisërive, por në mungesë të kuorumit nuk arriti ta votojë të njëjtën dhe ta kalojë në lexim të dytë. Aleanca për Shqiptarët duke e cilësuar regjistrimin si proces politik i cili mban peng të drejtat e komuniteteve në vend, shfaqi dyshimet për manipulim të mundur edhe gjatë procesit të radhës.
 
“Në mjediset e përziera të ketë nga dy regjistrues. Edhe kjo është qesharake, edhe kjo është e papranueshme. Pse në mjediset e përziera të ketë nga dy regjistrues? Çka do të thotë kjo, a nuk kemi besim ndaj shqiptarëve, Informatat që do të japim shqiptarët do të jenë të rrejshme? Jo jo nëse ka dy regjistrues do të ketë në gjithë shtetin nëse dëshirojmë të jemi të sinqertë. Ne kemi dilema se prej 9 sektorë në Entin Statistikor s’kemi asnjë udhëheqës shqiptarë, prej 39 njësive nuk kemi asnjë udhëheqës shqiptarë.”,- deklaroi deputeti i ASh-së, Halil Snopçe.
 
Zëvendësministri i drejtësisë, Agim Nuhiu, siguroi se propozim ligji eliminon gjitha dyshimet dhe mundësitë për manipulim mbi baza etnike, ndërkaq kërkoi mbështetjen e deputetëve.
 
“Ne me ligj garantojmë 45 regjione regjistrimi, komisione të posaçme që do të përbëhen prej 5 deri në 9 anëtarë përfshirë edhe kryetarin e komisionit, një numër I konsiderueshëm të instruktorëve shtetërorë, të instruktorëve regjional, të regjistruesve regjional dhe pjesëmarrësve të tjerë.”,- u shpreh zëvendësministri i drejtësisë, Agim Nuhiu.
 
Ndërkohë, grupi parlamentarë i BDI-së ftoi opozitën shqiptare të mos paragjykojnë në besueshmërinë e procesit të regjistrimit dhe fokusin ta vë në regjistrimin e mërgatës shqiptare.
 
“Çështja e regjistrimit të mërgatës shqiptare duhet të jetë një bastion në të cilin do të koncentrohemi për vitin 2021, sepse ajo është një çështje nga e cila do të varet shumëçka dhe ajo është një çështje për të cilën në fund të fundit kemi edhe pak përgjegjësi.”,- theksoi deputetja, Arta Bilalli Zendeli.
 
Shtetasit e Maqedonisë Së Veriut të cilët gjatë regjistrimit do të ndodhen jashtë vendit, ata do të mund ti regjistrojë personi i afërt duke e dhënë numrin e  tyre amë. Diaspora do të mund të regjistrohet edhe online.  Regjistrimi i popullsisë ishte e vetmja pikë nga 18 pikë të rendit të ditës në kuvend që ngjalli debat, ndërkohë që edhe propozim ligjet tjera sikurse vazhdimi i gjendjes së krizës nga KOVID-19, zgjedhja e Ixhet Memetit anëtarë të Këshillit të Prokurorëve Publik, realizimi i buxhetit për vitin 2021,në mungesë të kourumit nuk u votuan.
 
MERAL ISMAILI