Maqedoni
Ndihma prej 6000 denarësh, Llukarevska: DAP po përpilon listën e përfituesve
14.12.2020 17:20
Drejtoria e të Ardhurave Publike gjatë kësaj jave do të duhet që Sekretariatit të Përgjithshëm të Qeverisë...

Drejtoria e të Ardhurave Publike gjatë kësaj jave do të duhet që Sekretariatit të Përgjithshëm të Qeverisë t’ia dorëzojë listën me përfituesit e mbështetjes financiare prej 6.000 denarësh. Paratë do të mund të shfrytëzohen për blerjen e produkteve vendore deri më 25 dhjetor, si pjesë e pakos së katërt ekonomike të qeverisë.
“Në pjesën e masës që ka të bëjë me ndihmën që ka për qëllim disa grupe, e kemi për obligim që gjatë kësaj jave ta dorëzojmë listën deri te Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë, me qëllim që të publikohet.”,- tha drejtoreshë e DAP-it, Sanja Llukarevska.
Drejtoresha e DAP-it, Sanja Llukarevska, njëherit bëri të ditur se pronarët e 179 ndërmarrjeve morën ndihmë shtetërore për t’i paguar pagat, por ato nuk u janë dhënë punëtorëve. Me këtë shteti është dëmtuar për 85 mijë euro, ndërsa rreth 340 të punësuar nuk i kanë marrë pagat e tetorit.
Disa nga pronarët që nuk u kanë dhënë paga punëtorëve, të njëjtën e kishin bërë edhe me ndihmën qeveritare për muajt prill, maj dhe qershor. Kryesisht bëhet fjalë për sektorët e shitjes me pakicë, transportit dhe kompanitë për ushqime të gatshme. Ata do të përballen me vërejtje, pagesë të detyrueshme dhe përgjegjësi penale.
Ndihmë për pagat e punëtorëve prej 14500 deri në 21700 denarë kanë shfrytëzuar rreth 13 mijë kompani, ndërsa një mundësi e tillë mund të shfrytëzohet edhe për muajt nëntor dhe dhjetor.
GYLTENE SINANI
