Maqedoni

Arifi: Në Tetovë dhe rrethinë, 984 raste aktive

14.12.2020 19:00

Në komunën e Tetovës dhe pesë komunat tjera rurale numri i personave aktiv me Covid-19...

Në komunën  e Tetovës dhe pesë komunat tjera rurale numri i personave aktiv me Covid-19 është 984. Kryetarja e Tetovës, Teuta Arifi, tha se rritja e numrit të personave të infektuar ka ardhur si pasojë e mosrespektimit te masave.
 
Arifi kërkon nga qytetarët që trajtimet t’i bëjnë nëpër spitale e jo në mënyrë private që, sipas Arifit, këtë raste e  vështirësojnë situatën me COVID-19 në Tetovë.
 
“Trajtimi i vonshëm dhe marrja e terapive në mënyrë private vetëm sa e përkeqësojë gjendjen shëndetësore të personave të infektuar, duke pamundësuar shërimin adekuat të tyre në fazat e mëtutjeshme kur sëmundja veçse është zhvilluar dhe është në fazën e saj terminale. Sipas parashikimeve të autoriteteve shëndetësore ndërkombëtare dhe atyre në vend, lufta me pandeminë e Covid-19 do të vazhdojë edhe në muajt në vijim, andaj kërkojmë nga qytetarët që në kohën që vjen të tregohen akoma më të kujdesshëm dhe të ndërgjegjshëm duke respektuar të gjitha masat dhe protokollet mbrojtëse.”,- tha kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
 
Arifi tha se situata nëpër institucionet tjera arsimore në Tetovë është stabile edhe përkundër faktit se ka pasur arsimtar, profesor dhe punonjës në çerdhe të infektuar më Covid-19. 
 
“Në çerdhet dhe shkollat e komunës së Tetovës gjendja epidemiologjike lidhur me Covid-19 është me sa vijon: Në çerdhe kemi 5 raste aktive dhe 3 grupe të fëmijëve në izolim. Në shkollat fillore janë 12 mësimdhënës pozitiv dhe 3 klasa në izolim shtëpiak. Në shkollat e mesme kemi 11 mësimdhënës pozitiv me Covid-19, kurse procesi i mësimit në distancë vazhdon të zhvillohet sipas planit dhe dinamikës së paraparë, kurse po ashtu ka filluar edhe procedura e maturës shtetërore dhe shkollore.”,- theksoi Arifi. 
 
Përndryshe, nga Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor në rajonin e komunës së Tetovës, janë lëshuar 560 vendime të reja për izolim të detyrueshëm, kurse ndaj 1143 personave me vendime të tilla janë kryer kontrolle dhe nuk është konstatuar asnjë shkelje apo mosrespektim i vendimeve të lartpërmendura. 
 
VISAR SADIKI