Botë

Zyrtarizohet fitorja, Joe Biden: Tani është koha për një fillim të ri

15.12.2020 09:48

Presidenti i zgjedhur Joe Biden u tha amerikanëve të hënën mbrëma se “vullneti i popullit fitoi,”...

Pas një dite të gjatë, numërimi i votave elektorale që sigurojnë zgjedhjen e presidentit të ardhshëm amerikan, ka dhënë verdiktin e tij final, dhe është sërish në favor të demokratit Joe Biden dhe zëvendëspresidentes Kamala Harris. Biden-Harris morën 306 nga 538 mandatet totale, ndërkohë që Trump dhe Pence u ndalën në 232.

Numërimi zyrtarizon praktikisht fitoren e demokratit. Numërimi i votave elektorale zakonisht ka qenë thjesht pjesë e ceremonialit të zgjedhjeve presidenciale, por paditë e shumta të Trump për parregullsi në shtete të ndryshme i kishin dhënë një rëndësi që nuk ka pasur kurrë në historinë moderne amerikane.Tashmë votat pritet të certifikohen nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati. Fjalët e para të Biden ishin, “ka ardhur koha të bashkohemi, dhe të mbyllim një kapitull. Do të jem presidenti i të gjithëve”.

Në një fjalim të mbajtur pas njoftimit për fitore, ai ka thënë se demokracia e Shteteve të Bashkuara “është testuar dhe kërcënuar”, si dhe ka rezultuar se “e merr veten shpejt, është e vërtetë dhe e fuqishme”. Ai ka dënuar tentimet e presidentit amerikan, Donald Trump për të përmbysur rezultatin dhe ka thënë se “dëshira e popullit ka triumfuar”. Ndërkohë që demokrati përgatitet për ceremoninë e 20 janarit në Uashington, Trump sot zyrtarizoi shkarkimin e ministrit të Drejtësisë Uilliam Barr, që sipas tij nuk bëri mjaftueshëm për të “zbuluar” atë që ai cilëson si vjedhjen elektorale demokrate.