Maqedoni
MPB: Shitja apo përdorimi i mjeteve piroteknike, janë të dënueshme
15.12.2020 09:31
Ministria e Punëve të Brendshme, edhe këtë vit po zhvillon fushatë parandaluese...

Ministria e Punëve të Brendshme, edhe këtë vit po zhvillon fushatë parandaluese, që të informojë qytetarët për pasojat e mundshme nga përdorimi i kapsollave dhe mjeteve të tjera piroteknike, posaçërisht para dhe gjatë festës së Vitit të Ri.
Nga MPB thonë se do të ndërmarrin edhe masa ndëshkuese, me qëllim të sanksionimit të shitjes dhe përdorimit të kapsollave dhe mjeteve të tjera piroteknike.
Ligji për kundërvajtje kundër rendit dhe qetësisë publike në nenin 31 parasheh gjobë në shumë prej 200 deri 500 euro për ata që gjuajnë në mënyrë të paautorizuar me armë zjarri, që përdorin mjete piroteknike, mjete të tjera shpërthyese apo materiale që digjen lehtësisht, apo në mënyrë të ngjashme e prishë qetësinë dhe sigurinë e qytetarëve.
Në pajtim me Kodin penal, në nenin 396 parashihet se ai që përpunon, mban, shet, furnizon apo kryen këmbim me armë zjarri në mënyrë të paautorizuar, me municion apo materie shpërthyese, do të dënohet me burg prej tre deri dhjetë vite.
Nëse si lëndë e veprës nga paragrafi 1, bëhet fjalë për një sasi më të madhe të armëve të zjarrit, municionit apo materieve shpërthyese të cilat janë të ndaluara për qytetarët, kryesi do të dënohet me së paku pesë vite burg.
