Ndërkombëtarët e duan koalicionin PDK-LDK-AAK
Reflektimi i parë që bëri blloku VLAN fundjavën e kaluar, duke u pajtuar të lëshojë postin e kryetarit të Kuvendit për Partinë Demokratike të Kosovës...

Reflektimi i parë që bëri blloku VLAN fundjavën e kaluar, duke u pajtuar të lëshojë postin e kryetarit të Kuvendit për Partinë Demokratike të Kosovës, ka hapur shumë dilema nëse ky koalicion do të jetë i qëndrueshëm.
Krejt çka tani ka mbetur nga postet udhëheqëse që katër partitë të koalicionit, LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje mund të pretendojnë është posti i kryeministrit.
Por, pikërisht ky post po shihet edhe si një "mollë sherri", pasi që aty mund të fillojnë dhe mbarojnë pëçarjet LDK-AAK-së dhe gjithçka të kthehet në pikën zero sa i përket këtij koalicioni të gjerë paszgjedhor të partive opozitare.
Nisur nga këto zhvillime, burime ndërkombëtare i kanë thënë gazetës “Tribuna” se tani mjafton një trysni e vogël diplomatike nga jashtë që Kosova të ndërtojë shumë shpejt qeverinë e re.
Por, këto burime nuk e kanë fshehur se fillimisht ndërkombëtarët do të preferonin të dëgjonin sërish për formulën e "famshme" që i lidh LDK-në dhe PDK-në në një koalicion, me mundësinë që aty të përfshihet edhe AAK-ja.
Në këtë rast dhe me këtë formulë, sipas këtyre burimeve, faktori ndërkombëtar do të ishte më se i kënaqur për faktin se do të respektoheshin disa nga parimet që asnjë qeveri e Kosovës në këtë moment politik, sipas tyre, nuk do të duhej t'i shkelte.
