Maqedoni
Carovska, raport për 100 ditët në krye të MASh-it
16.12.2020 13:28
Në raportin për punën e saj në 100 ditët e drejtimit të Ministrisë së Arsimit....

Në raportin për punën e saj në 100 ditët e drejtimit të Ministrisë së Arsimit, ministrja Milla Carovska tha se janë shënuar rezultate në pesë sfera, siç janë qasja në kohë dhe arsimi kualitativ për çdo fëmijë në kushte pandemie, reforma në arsim, investime në shkencë, investime kapitale dhe politika për stipendi. Carovska njëherit theksoi se 90% e nxënësve e ndjekin mësimin online, ndërsa më pak se një për qind e nxënësve dhe arsimtarëve janë prekur nga Kovid-19.
“Ajo që është me rëndësi është se edhe në kohë pandemie ka kontinuitet në arsim, përkatësisht me modelin e kombinuar të arsimit online dhe me prani fizike si dhe me emetimin e orëve prej 15 minutash në gjuhën maqedonase dhe shqipe, në televizionin publik. Kemi siguruar stabilitet në procesin arsimor dhe me sukses përfundoi notimi për tremujorin e parë dhe përmbylljen e gjysmëvjetorit të parë të këtij viti shkollor. Kemi më pak se 1% nxënës dhe arsimtarë të infektuar. Njëkohësisht nxënësit dhe arsimtarët vazhdimisht janë pjesë e mësimit, përkatësisht mbi 90% e nxënësve me sukses e ndjekin mësimin online.”,- deklaroi Milla Carovska nga MASh.
Carovska njoherit theksoi se analizat kanë dëshmuar se pika kritike në arsim është numri i madh i lëndëve të cilat nxënësit i mësojnë vetëm në mënyrë faktografike. Koncepti i ri për arsimin fillor që është në përgatitje e sipër përfshin bashkimin e më shumë lëndëve mësimore në një, si për shembull historia dhe gjeografia, apo biologjia dhe kimia.
“Aktualisht zhvillohet diskutim me palët e prekura, që të mund të jetë procesi inkluziv dhe transparent, ndërsa do t’i prezantohet edhe opinionit. Me këtë krijohet mundësia që nxënësit ta arrijnë edhe potencialin e tyre, pasi që do të kenë të drejtë të përcaktohen për dy lëndë zgjedhore gjatë vitit dhe në atë formë ata do të mund ta ndërtojnë arsimin e tyre që nga mosha e re.”,- theksoi Carovska.
Po ashtu Carovska tha se në rrjedhë e sipër janë edhe reformat në arsimin e mesëm. Si pjesë e reformave ajo theksoi se po përgatiten tre qendrat rajonale për arsim të mesëm profesional në Tetovë, Kumanovë dhe Ohër, ku do të përgatiten kuadro që kërkon tregu i punës. Carovska njëherit theksoi se këtë vit janë paraparë stipendi për 2.150 nxënës dhe 3.130 studentë. Duke i komentuar kërkesat për anulimin e maturës shtetërore, apo kërkesën që të ketë vetëm dy lëndë me programe të shkurtuara, Carovska theksoi se maturë shtetërore do të ketë, por do të jetë me pyetje më të thjeshta. Matura është obligim ligjor, ndërsa risi në mënyrën e provimit të maturës shtetërore do të ketë nga viti i ardhshëm shkollor, theksoi ministrja e arsimit, Carovska.
GYLTENE SINANI
