Maqedoni

Përballja me pandeminë, Gashi: Të formohet front i përbashkët

16.12.2020 14:02

Të formohet front i përbashkët, fton lideri i Alternativës opozitare, Afrim Gashi...

Të formohet front i përbashkët, fton lideri i Alternativës opozitare, Afrim Gashi, me qëllim që shteti më lehtë të përballet me tri sfidat pandeminë, integrimin dhe ekonominë. Në emisionin debativ “Argument” në TVM2, Gashi jo vetëm se insiston në formimin e qeverisë së zgjeruar, por kërkon edhe kyçjen e ekspertëve në këtë betejë shëndetësore - politike.
 
“Unë mendoj se ne jo vetëm që duhet të bëjmë një qeveri të zgjeruar, por duhet të mundohemi të gjejmë ekspertët dhe njerëzit më të mirë që i kemi jashtë vendit, që punojnë nëpër institucione relevante shumë prestigjioze, falë zotit që edhe ne si shqiptarë por edhe maqedonasit kemi kapacitete të atilla, ti ftojmë të gjithë këtu e të mundohemi të përballemi me këto sfida. Kjo qeveri e cila po mundohet të përballet vetë e duke dështuar çdo ditë vërtetë mendoj se është papërgjegjësi dhe joseriozitet i madh.”,- deklaroi kryetari i Alternativës, Afrim Gashi.
 
Eurointegrimet, Gashi: në zgjidhjen e kontestit të kyçet opozita
 
Gashi e cilëson dështim të brendshëm bllokimin integrues të vendit nga fqinji lindor. Vlerëson se kyçja e opozitës do të ndihmonte procesin.
 
“Në koalicion kemi 12 deputetë dhe është koalicioni i vetëm opozitarë në këtë vend dhe fare nuk jemi të informuar për rrjedhën e bisedave që i bën Maqedonia me Bullgarinë. Si mendoni se mund ta ndihmojmë këtë proces kur jeni të përjashtuar dhe të painformuar. Mendoj se është joserioze. Unë mendoj se edhe opozita maqedonase dhe ajo shqiptare duhet të ndërtojmë një ekip negociator dhe ajo të merret me këtë çështje. Mbase edhe një ekip i tillë mund brenda kësaj kohe ta zgjidhte edhe ta bënte kompromisin duke e mbrojtur edhe identitetin por edhe duke e marrë datën për integrime.”,- tha kryetari i Alternativës, Afrim Gashi.
 
Edhe parametrat ekonomike nuk shikohen si shpresëdhënëse. Duke u thirrur në të dhënat e bankës botërore, kreu i Alternativës Afrim Gashi thotë se deri në fund të vitit mund të humben 85 mijë vende pune, pasi 50 mijë ndërmarrje të regjistruara nuk kanë pranuar asnjë ndihmë.


MERAL ISMAILI