Maqedoni
MSh, Filipçe: Të respektohen protokollet dhe rekomandimet
16.12.2020 15:02
Numri i të infektuarve nga COVID-19 në vend gjatë shtatë ditëve të fundit ka shënuar rënie për 11 për qind.....

Numri i të infektuarve nga COVID-19 në vend gjatë shtatë ditëve të fundit ka shënuar rënie për 11 për qind. Në 27 komuna është shënuar zvogëlimi i rasteve të infektimeve të reja, në krahasim me dy javët e fundit. Në raportin e Institutit të Shëndetit Publik thuhet se në periudhën prej 7 deri më 13 dhjetor janë bërë 9.2% më pak teste në krahasim me javën e kaluar. Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, ka përsëritur apelin që të respektohen protokollet dhe të shmangen grumbullimet për festat e fundvitit.
“Njerëzit të përmbahen nga daljet, të mos dilet edhe në këtë periudhë pa ndonjë nevojë të madhe. Lidhur me shtandet dhe ajo që është vendosur në sheshe, njerëzit të mos grumbullohen. Gjatë kohës së festave fetare dhe Natën e Vitit të ri të mbeten në familjet e tyre, sepse e kemi parë se kllaster të ri dalin prej atje ku ka më shumë njerëz nga më shumë familje.”,- deklaroi Venko Filipçe nga MSh.
Filipçe: Nuk do të kërkohet test PCR për hyrje në RMV
Ministri po ashtu thotë se kufijtë e vendit vazhdojnë të mbeten të hapura dhe nuk do të aplikohet testi PCR për hyrje në vend, si masë reciprociteti ndaj shtetasve të Serbisë.
“Vlerësojmë se kjo nuk përbën rrezik, edhe situata e tanishme tregon se kufijtë e hapur nuk janë rrezik për përkeqësimin e situatës rreth pasqyrës epidemiologjike. Transmetimi lokal është rreziku kryesor.”,- theksoi Filipçe.
Nga Ministria e Shëndetësisë njëherit bëjnë të ditur se në 24 orët e fundit në Kovid qendrat në Shkup janë shtrirë edhe 40 pacientë të ri për shkak të komplikimeve me virusin. Në repartet infektive në kryeqytet aktualisht po trajtohen gjithsej 495 persona të diagnostikuar ose të dyshuar nga Covid-19, një pjesë e madhe e të cilëve janë nën mbështetje të oksigjenit. Brenda 24 orësh në kryeqendra janë regjistruar 35 pacientë të cilët e kanë fituar betejën me virusin Korona. Shkupi vijon me numrin më të lartë të infektimeve, ku brenda një jave kanë rezultuar 2300 persona pozitiv, apo 41% nga numri i përgjithshëm i të infektuarve. Numri më i madh i infektimeve vijon të jetë në Shkup, Kumanovë, Tetovë, Prilep, Gostivar, Veles, Manastir dhe Shtip, numri më i madh i vdekjeve në Strugë, Shtip, Krushevë, Ohër dhe Prilep.
REJHANE BUSHI METAJ
