Botë

Ursula Von Der Leyen: Të vaksinojmë deri në 70% të popullatës

16.12.2020 15:17

27 vendet anëtare të BE-së synojnë ta fillojnë vaksinimin anti-Covid në të njëjtën ditë në shenjë uniteti – tha shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen....

27 vendet anëtare të BE-së synojnë ta fillojnë vaksinimin anti-Covid në të njëjtën ditë në shenjë uniteti – tha shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Deklarata e saj në Parlamentin Evropian erdhi pas rritjes së presionit në bllok për të kapur hapin e SHBA-së dhe Britanisë, ku procesi i imunizimit tashmë ka filluar me vaksinën e Pfizer dhe BionTech.
 
“Për t’i dhënë fund kësaj pandemie, ne duhet të vaksinojmë deri në 70 për qind të popullatës. Ky është një mision gjigant. Ndaj le të fillojmë sa më shpejt që të jetë e mundur me vaksinimin, të gjithë bashkë, në një dit. Le të fillojmë sa më shpejt që të jetë e mundur me vaksinimin, së bashku. 27 vendet anëtare do ta fillojnë vaksinimin në të njëjtën ditë, së bashku, ashtu siç kemi qëndruar gjatë gjithë kësaj pandemie. Le ta fillojmë çrrënjosjen e këtij virusi të tmerrshëm të bashkuar.”,- deklaroi shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
 
Shefja e komisionit evropian  bëri presion që  të mundësonte nisjen e procesit të vaksinimit para Krishtlindjes. Shtetet e BE-së kanë edhe opsionin e procedimit në mënyrë individuale, sipas rregullave të emergjencës së EMA-s, por Komisioni Evropian do një proces të koordinuar në bllok për të garantuar që asnjë vend anëtar nuk do të mbetet prapa. Ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë u ka bërë thirrje Evropianëve që të mbajnë maska gjatë mbledhjeve familjare në Krishtlindje. OBSH tha se Evropa ishte në “rrezik të lartë” nga një valë e re e infeksioneve të koronavirusit në pjesën e hershme të vitit 2021, pasi transmetimi i virusit mbeti i lartë. Ndryshe që nga fillimi i pandemisë numri i të infektuarve në nivel botëror ka arritur në mbi 73 milion e 627 mijë njerëz, prej të cilëve mbi 41 milion e 739 mijë njerëz janë shëruar ndërsa një milion e 638 mijë e 842 persona kanë humbur jetën. 
 
REJHAN BUSHI METAJ