Maqedoni
Opozita, kritika presidentit për fjalimin e fundvitit
16.12.2020 15:57
Deputetët e VMRO-DPMNE-së e bojkotuan fjalimin vjetor të presidentit të shtetit, Stevo Pendarovski, në Kuvend.....

Deputetët e VMRO-DPMNE-së e bojkotuan fjalimin vjetor të presidentit të shtetit, Stevo Pendarovski, në Kuvend. Kur ai e filloi fjalimin, grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së u pozicionuan para foltores, duke mbajtur parulla në duar me mbishkrimet "Identiteti është në shitje". "Zaev: Stevo është një politikan papërvojë", "Ai nuk është presidenti im" dhe pastaj u larguan nga salla. Deputeti Aleksandar Nikolloski nga radhët e VMRO-DPMNE-së tha se nuk deshën të dëgjojnë fjalimin e fundvitit të presidentit pasi Pendarovski dëshmoi se ai nuk është president i të gjithë qytetarëve.
"Stevo Pendarovski nuk është president i të gjithë qytetarëve, por vetëm ekzekutuesi i një strukture politike dhe i Zoran Zaevit. Me këtë, Pendarovski ua ktheu shpinën qytetarëve maqedonas. Kjo është arsyeja pse sot deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit ia kthyen shpinën dhe u larguan nga salla e parlamentit ku ai kishte fjalim. Së dyti, Stevo Pendarovski është i pari që thotë se heroi ynë kombëtar Goce Delçev është një bullgar dhe kështu shkatërroi interesat kombëtare maqedonase.”,- deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikolloski.
Nikolloski e akuzoi presidentin Pendarovski se nuk ka thënë as një fjalë në lidhje me deklaratat e Zaevit se Bullgaria ishte çlirimtare, nuk u konsultua me askënd për çështje strategjike siç ishte pranimi i Maqedonisë në Zonën Ekonomike Evropiane dhe në fund "pa ndonjë provë të shumicës - i dha mandatin Zaevit. Kritik ndaj fjalimit të presidentit ishin edhe koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa. Koordinatori i deputetëve të koalicionit Skender Rexhepi tha se fjalimi I presidentit ishte në vijë të njëjtë me partitë e shumicës qeveritare.
“Zgjedhjet e i karakterizoi si demokratike ndërsa ne kishim dëshmi dhe ishim zëdhënës të faktit se zgjedhjet ishin të shkelura, të shtypura dhe jo demokratike, posaçërisht në komunat shqiptare. E dyta ishte ballafaqimi me pandeminë me të cilën qeveria dështoj totalisht. pasi jemi shteti me të infektuarit dhe të vdekur më të madh në Evropë, ndërsa kërkesa e opozitës ishte të ketë ndryshim të komisionit për sëmundje ngjitëse. dhe e treta menaxhimi me krizën e përgjithshme ekonomike sociale, me çka ne kërkuam takim liderësh dhe kryetari I shtetit konsideroi që nuk është dashur të ketë takim liderësh.”,- tha Skender Rexhepi nga ASH-Alternativa.
LSDM, mospajtim me opozitën për kritikat ndaj presidentit
Por nga LSDM kanë vlerësim të kundërt nga ai i opozitës. Deputeti i LSDM-së, Jovan Mitrevski, theksoi se e vlerësojnë kontributin e Pendarovskit sidomos në këtë periudhë të pandemisë, ndërsa akuzojnë VMRO-DPMNE-në se nuk dinë asgjë tjetër përveç bojkotimeve.
“VMR-DPMNE këtu në kuvend nuk din për asgjë tjetër përveç, bojkotimeve dhe destrukcioneve. Qytetarët e shohin këtë dhe e vlerësojnë prandaj i kanë renditur humbjet 6 herë resht. Prandaj do të vazhdojnë me humbje edhe në periudhën e ardhshme.”,- tha deputeti i LSDM-së, Jovan Mitrevski.
Mitrevski thotë se si përfaqësues të qytetarëve presidentin Pendarovski e llogarisin si aleat i cili do t’i ndihmojë në misionin e gjetjes së zgjidhjeve për tejkalimin e të gjitha problemeve për një të ardhme më të mirë të qytetarëve.
SANIJE DURAKU
