Grubi priti homologen kosovare, Balaj Halimaj
Zëvendëskryeministri, Artan Grubi, ka pritur në Shkup...

Zëvendëskryeministri, Artan Grubi, ka pritur në Shkup zëvendëskryeministren e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Albulena Balaj Halimaj.
Mbledhja e parë mes dy qeverive, më 25 janar
Në takim është konfirmuar mbledhja e përbashkët mes dy qeverive, që pritet të mbahet me 25 janar në Shkup, ndërsa që nga java e ardhshme do të mbahen edhe mbledhjet e grupeve teknike për dakordim të draft teksteve të marrëveshjeve dhe deri në fund të këtij viti të njëjtat pritet të konkretizohen.
Në mesin e 20 marrëveshjeve do të jetë edhe ajo që pika kufitare në mes të dyja vendeve të jetë vetëm një pikë e vetme e modelit “One Stop Shop”.
“Ramë dokord që të mbajmë mbledhjen e përbashkët të dy qeverive tona, me ç’rast pas konsultimeve në të dyja qeveritë edhe sot e konfirmuam datën e dakorduar edhe nga Prishtina edhe nga Shkupi, e për mbajtjen e kësaj mbledhje të parë historike, e cila do të mbahet më 25 janar. Gjithashtu gjatë mbledhjes së sotshme diskutuam edhe për propozim marrëveshjet të cilat i kanë propozuar ministritë e dy qeverive tona dhe janë të shumta në numër e të cilat do të duhet të presin dakordim final mes grupeve teknike dhe në mënyrë solemne më 25 janar të nënshkruhen nga ministrat dhe të solemnizohen në mbledhjen e përbashkët të qeverive.”,- tha zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë, Artan Grubi.
“Ajo që vlen të theksohet në këtë mbledhje në mes të dyja qeverive është marrëveshja e pikës kufitare, e cila do të jetë vetëm një vend e modelit “One Stop Shop”, e jo dy vende ku bëhet maltretimi i qytetarëve të të dyja vendeve. Ka edhe shumë marrëveshje të cilat nuk është mirë t’i bëjmë publike, e ku qytetarët e të dyja vendeve do të përfitojnë më së shumti. Do të jetë një studim fisibiliteti që do të nënshkruhet për rrugën Prizren – Tetovë, edhe Ministria e Tregtisë është duke e përgatitur draftin e marrëveshjes që ka të bëjë me qendrën e skijimit në Brezovicë dhe në bregun e diellit këtu, për t’i bashkuar këto dyja dhe të jetë një qendër e turizmit e përbashkët, dhe besoj se të dyja këto do të nënshkruhen më 25 janar.”,- u shpreh zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Albulena Balaj Halimaj.
Njëherit zëvendëskryeministri Grubi potencoi se Qeveria e vendit qëndron prapa premtimit se brenda dy vitesh do të lëshohet në përdorim autostrada Shkup-Bllacë e cila është në interes të dy shteteve. (Fitim Kryeziu, TVM2)
