Këshilli i BE-së, pritet të miratohen konkluzat për zgjerim

16.12.2020 16:57

Vetoja bullgare ka penguar përpjekjet e fundit që BE gjatë presidencës gjermane....

Vetoja bullgare ka penguar përpjekjet e fundit që BE gjatë presidencës gjermane ta miratojë kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut, e cila hap edhe rrugën e mbajtjes së konferencës ndërqeveritare deri në fund të këtij viti. Si pasojë e kësaj situate, ka gjasë të mos miratohet korniza edhe për Shqipërinë.

Siç raportohet jozyrtarisht, kërkesat bullgare janë bërë pjesë e propozim-konkluzioneve të reja kushtuar zgjerimit të BE-së dhe procesit të stabilizim-asociimit që do të diskutohen nga ambasadorët evropian dhe se të njëjtat do të miratohen.  Midis tjerash në propozim-konkluzionet theksohet: “Patjetër t’iu përmbaheni deklaratave dhe veprimeve që ndikojnë negativisht në marrëdhëniet e mira ndër-fqinjësore. Këshilli i BE-së rikujton Marrëveshjen e Prespës mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë dhe Marrëveshjen për marrëdhënie të mira fqinjësore mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë dhe thekson rëndësinë e zbatimit të tyre. Këto dy hapa në mënyrë efikase duhet t’i japin fund të gjitha pretendimeve, bazuar në interpretim të gabuar të historisë”.

Edhe miratimi i këtyre konkluzioneve ka qenë i bllokuar për shkak se Bullgaria kërkonte që në to të kritikohet Maqedonia e Veriut për atë që Bullgaria e cilëson si “keqinterpretim të historisë”.

Konkluzionet e tilla në Këshillin e BE-së miratohen me pajtimin e të gjitha shteteve anëtare. Bullgaria, në muajin nëntor, e ka penguar hapjen e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, duke vendosur dy herë veto, një herë në Këshillin e Ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së. (Naim Ramadani, TVM2)