Ndryshimet në Qeveri dhe zhvillimet për vrasjen e Klodian Rashës

16.12.2020 17:55

Kryeministri, Edi Rama, ka firmosur ndryshimet....

Kryeministri, Edi Rama, ka firmosur ndryshimet më të fundit në qeveri, pas dorëheqjes së ministrit të brendshëm, Sandër Lleshaj.

Në vend të tij është emëruar ministri aktual i Bujqësisë, Bledi Çuçi, vendin e të cilit do ta zërë ish-ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi.

Dorëheqja e Lleshajt, erdhi pas ngjarjes së rëndë të 8 dhjetorit, kur efektivi i Policisë, Nevaldo Hajdaraj, qëlloi për vdekje të riun, Klodian Rasha.

Ndërkohë, ditën e sotme Prokuroria e Tiranës ka vendosur të ashpërsojë akuzën ndaj efektivit në “vrasje me dashje”, duke rrezikuar 20 vjet burg.

Protestat për vrasjen e 25-vjeçarit nuk janë ndalur që prej ditës kur ai u ekzekutua, duke degjeneruar në përplasje te dhunshme mes protestuesve dhe forcave policore. Ndonëse këto të fundit janë përpjekur t’i shpërndajnë edhe në kuadër të masave kufizuese të Covid-19, komisionerja për të drejtat e njeriut, Dunja Mijatoviç, i ka kërkuar sot qeverisë shqiptare që të mos i pengojë tubimet paqësore.  (Luljeta Ndoka, TVM2)