Maqedoni
26 vjet Universiteti i Tetovës, vendosen mbishkrimet në shtëpitë – mësonjëtoret e para të tij
17.12.2020 09:31
Universiteti i Tetovës, institucioni i arsimit të lartë të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, fetson sot 26-vjetorin e themelimit....

Universiteti i Tetovës, institucioni i arsimit të lartë të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, fetson sot 26-vjetorin e themelimit.
Me këtë rast dje u vendosën pllakate në të gjitha shtëpitë, pronarët e të cilave, prej 1994-2004 i hapën dyert e tyre në funksion të Universitetit. Një pjesë e këtyre shtëpive kanë shërbyer si mësonjëtore të disa njësive akademike të Universitetit, kurse disa tjera janë shfrytëzuar për çështje administrative. Veç shtëpive, në shërbim të Universitetit ka qenë edhe objekti i Myftinisë së Tetovës.
Nisur nga kjo, në vigjilje të shënimit të 26-vjetorit të themelimit, Rektori Vullnet Ameti, i shoqëruar nga udhëheqësia e Universitetit të Tetovës, senatorët, dekanët si dhe studentët, kanë vizituar pronarët e këtyre shtëpive dhe bashkërisht kanë shpalosur pllakatet, të cilat dëshmojnë kontributin, sakrificën dhe mbështetjen e madhe të popullatës shqiptare për themelimin e Universitetit të Tetovës në krye me themeluesin, Rektorin e parë dhe historik, Prof. Dr. Fadil Sulejmani.
Ky aktivitet u përmbyll me vizitën që u realizua në Myftininë e Tetovës, ku u përkujtua roli dhe kontributi i Bashkësisë Fetare Islame, gjegjësisht Myftinisë së Tetovës, e cila në vitin 1994 ishte vënë në shërbim të plotë të jetësimit të Universitetit të Tetovës. Me këtë rast u përkujtuan gjithë ata arsimdashës të të gjitha trevave shqiptare, të cilët kanë kontribuar ndër vite në ngritjen, zhvillimin dhe mbarëvajtjen e procesit arsimor – shkencor të Universitetit të Tetovës.
Në ceremoninë solemne sot UT i ndan edhe çmimin e nderit Honoris Causa, kreu të BDI-së Ali Ahmeti.
