Maqedoni
Komuna e Sarajit ndan 20 bursa
13.11.2014 16:28
Me qëllim të përkrahjes dhe motivimit të të rinjve, Komuna e Sarajit ndan 10 bursa për nxënës dhe 10 për studentë...

Me qëllim të përkrahjes dhe motivimit të të rinjve, Komuna e Sarajit ndan 10 bursa për nxënës dhe 10 për studentë, të cilët kanë arritur sukses të mirë. Me këtë rast, kryetari i Komunës, Bekim Murati, sqaron kushtet që duhet t’i plotësojnë të interesuarit.
“Të gjithë të interesuarit kanë mundësi që dokumentet, të cilat janë të parapara në konkursin publik, t’i dorëzojnë në Komunën e Sarajit dhe më pas të bëhet selekcionimi. Konform konkursit të shpallur kemi paraparë që bursa për nxënësit të jetë 3000 denarë, ndërsa për studentët 4600 denarë”- deklaroi kryetari i Komunës së Sarajit, Bekim Murati.
Konkursi i shpallur do të përfundojë gjatë ditës së nesërme, andaj kryetari i Komunës së Sarajit, Bekim Murati, fton të rinjtë që mos ta humbin këtë mundësi për pajisje me bursë.
“Të drejtë për të fituar bursë kanë nxënësit e vitit të dytë, tretë dhe të katërt dhe studentët e vitit të 3, 4, 5 dhe 6. Nxënësit e shkollave të mesme duhet të dorëzojnë vërtetim për rregullshmëri, dëftesë. Apeloj tek të gjithë nxënësit dhe studentët që dokumentet t’i dorëzojnë te Komuna e Sarajit”- tha kryetari i Komunës së Sarajit, Bekim Murati.
Përparësi do të kenë nxënësit që kanë qenë pjesëmarrës në gara dhe studentët me mesatare mbi 7.5. Përkrahja e të rinjve në këtë komunë do të shndërrohet në traditë dhe do të vazhdojë edhe viteve të ardhshme.
FLUTURA LATIFI
