Botë
OBSH: Më shumë se 585.000 të infektuar për një ditë
17.12.2020 13:03
Më shumë se 585.000 raste të virusit korona janë regjistruar një ditë më parë në botë e me çka numri i të infektuarve ka arritur në mbi 74 milionë.....

Më shumë se 585.000 raste të virusit korona janë regjistruar një ditë më parë në botë e me çka numri i të infektuarve ka arritur në mbi 74 milionë. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar se numri i rasteve të vdekjes ka tejkaluar shifrën prej 1.63 milionë. Amerika Jugore dhe Veriore kanë më shumë se 45 për qind të të infektuarve në 24 orët e kaluara, pasojnë Evropa dhe Azia Juglindore.
OBSH vuri në dukje se pavarësisht disa përparimeve të brishta të bëra kundër virusit korona, transmetimi i COVID-19 mbetet mjaft i përhapur dhe bëri thirrje për kujdes të vazhdueshëm dhe ndjekje të masave të ndërmarra.
SHBA-të mbetet vendi më i prekur, me një kulm të ri të regjistruar të mërkurën: mbi 250,000 raste të reja në 24 orë dhe 3,700 vdekje në një ditë, me një total në pothuajse 17 milionë raste dhe 308,000 vdekje.
Numër të lartë rastesh me të infektuar dhe vdekjesh ka pasur edhe në Brazil, Indi, Rusi, Gjermani, Britani, Francë dhe Itali.
Në Greqi autoritetet po shqyrtojnë bllokimin e tërësishëm edhe të 11 zonave të tjera që cilësohen si shumë pranë “ alarmit të kuq”.
Në Afrikë numri i rasteve me COVID-19ka shkuar në mbi 2 milionë e 443 mijë. Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 21.275 raste të reja 346 vdekje.
Qeveria metropolitane e Tokios në Japoni, ka vendosur të rrisë nivelin e gatishmërisë, pasi numri i infeksioneve ditore arriti një rekord të lartë prej 822 rastesh me vetëm 10,909 teste të kryera.
Qeveria gjermane ka rikonfirmuar pozicionin e saj se vaksinat kundër koronavirusit duhet të mbesin vullnetare. Në Bundestag, megjithatë, kancelarja Merkel u bëri thirrje qytetarëve të përfitojnë nga opsioni i vaksinimit.
Zelanda e Re do të fillojë të vaksinojë pa pagesë 5 miloion qytetarët e këtij vendi deri kah mesi i vitit të ardhshëm. Zelanda e Re është ndër vendet e pakta që me sukses ka arritur ta luftojë përhapjen e coronës dhe ka hequr kufizimet. Deri më tani në këtë vend janë infektuar vetëm 1.744 persona, prej tyre vetëm 25 kanë humbur jetën.
