Maqedoni
Analistët: emri, problem që u takon ta zgjidhin dy kryeministrat
13.11.2014 16:34
Rezultati i bisedimeve për çështjen e emrit në raundin e ri në Nju Jork ka qenë i pritur për njohësit e kësaj çështje...

Negociatorët, Naumovski dhe Vasilakis, vetëm se përmbushin agjendën e tyre në kuadër të kodeksit diplomatik, ndërsa për një kompromis eventual duhet të vendosin kryeministrat e dy vendeve, shprehen analistët politik.
“Zgjidhja e çështjes së emrit është zgjidhje politike dhe kërkon angazhim të lidershipit të të dy shteteve, nuk është çështje të cilën mund ta zgjedhin negociatorët dhe as ta përmbyllin. Sigurisht që këto takime përdoren edhe për matjen e pulsit të të dy palëve lidhur me gatishmërinë e tyre për ta përmbyllur çështjen. Mos të harrojmë, kjo çështje më me rëndësi është të zgjidhet për Maqedoninë se sa për palën greke, ngase ne kemi bllokada të ndryshme”- deklaroi analisti politik, Albert Musliu.
“Nuk jam optimist rreth zgjidhjes së shpejtë të këtij problemi, duke pasur parasysh se diplomati jonë dhe ai grek përbëjnë vetëm një lloj përmbushje teknike të obligimeve për ta, pasi që problemin duhet ta zgjidhin liderët, përkatësisht qeveritë e dy vendeve”- tha profesori universitar, Nano Ruzhin.
Pas takimit rreth dy orësh me negociatorët, Vasko Naumovskin dhe Adamantios Vasilakisin, ndërmjetësi i OKB-së, Methju Nimic, theksoi se palët edhe këtë herë nuk arritën t’i afrojnë qëndrimet.
“Ne biseduam rreth disa ideve nga e kaluara deri në ç’masë mund të funksionojnë, deri në ç’masë kërkojnë përmirësime. Të dyja palët kanë ide më të qartë se ku janë vështirësitë tek pala tjetër, shpresojmë se rreth këtyre çështjeve do të bisedojnë me qeveritë respektive”- u shpreh ndërmjetësuesi i OKB-së për emrin, Metju Nimic.
E pavarësisht se ka deklaruar se nuk do të ketë zgjerim në pesë vitet e ardhshme, mossuksesi në bisedimet për emrin duket se ka shqetësuar edhe eurokomisarin e ri të BE-së për zgjerim, Johanes Han.
Ai, pas takimit të tij që realizoi me ministrin e Jashtëm, Nikolla Poposkin, deklaroi se Maqedonia ndodhet në krye të agjendës së tij për zgjerim, duke shtuar se është koha që të bëhen përpjekje për një qasje të re për çështjen e emrit me Greqinë.
NAIM RAMADANI
