Ish-krerët e UÇK-së para speciales, mbrojtja në Hagë kërkon shtyrjen e gjyqit

17.12.2020 14:58

Mbrojtja e ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë...

Mbrojtja e ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, edhe një herë ka kërkuar që gjykimi kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të fillojë pas 18 muajsh, përkatësisht në verë të vitit 2022.

“Më shumë se 18 muaj duhen për të zhvilluar hetime në këtë rast. Ky është realiteti”, tha avokati i Hashim Thaçit, David Hooper.

Prokuroria ka deklaruar se deri më tani i ka dorëzuar mbrojtjes më shumë se 1,300 materiale. Sipas prokurorisë, hetimet mund të përfundojnë në korrik dhe procesi gjyqësor mund të nisë në shtator të vitit 2021.

Edhe avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, deklaroi se periudha prej 18 muajsh është e shkurtër. Ai i’a ka kujtuar gjykatës se në Tribunalin Ndërkombëtar për Ish-Jugosllavinë në Hagë, që nga paraqitja e parë e të akuzuarve në gjykatë dhe deri në fillimin e gjykimit, është pritur deri në tre vjet e gjysmë.

Mbrojtja kërkon kohë të mjaftueshme për të trajtuar çështjen dhe provat e paraqitura nga Prokuroria. 

Emmerson mendon se fillimi i gjykimit ndoshta do të duhej të fillonte në fund të vitit 2022, ose në fillim të vitit 2023, varësisht nga pandemia dhe vaksinimi kundër COVID-19.

Gjykatësi Nicolas Guillou, tha se sot  nuk do të merret në lidhje me nisjen e gjyqit asnjë, por shtoi se do t’i marrë parasysh të gjitha pozicionet e mësipërme dhe se kjo do të diskutohet në konferencën e ardhshme statusore, që u  u propozua të mbahet në janar.