Universiteti i Tetovës, 26 vite rrugëtim, plot sfida e suksese, Ali Ahmeti nderohet me çmimin “Doctor Honoris Causa”
Universiteti i Tetovës, përmes një akademie solemne...

Universiteti i Tetovës, përmes një akademie solemne e shënoi 26-vjetorin e themelimit. Rektori i UT-së, Vullnet Ameti, tha se 26-vjetori i shënimit të themelimit të Universiteti të Tetovës është një ngjarje e veçantë për popullin shqiptar, dhe për të gjithë ata që mbrojtën këtë tempull të dijes dhe të ardhmërisë.
Ai me këtë rast shpalosi arritjet e UT-së në këto vite.
“Universiteti ynë tashmë hapëron drejt dhjetë vjeçarit të tretë, e vendosmërinë, vizionin e frymën e rilindasve. Vizion që i ka rrënjët në sakrificën e dëshmorit tonë Selam Eminit dhe dëshmorëve të tjerë të kombit, gjeneratave të tëra që kontribuan për të, dhe themeluesit e rektorit historik të UT-së, prof. dr. Fadil Sulejmanit, korifetut të Kombit shqiptar që sakrifikoi çdo gjë për arsimin dhe për lirinë. Si i tillë, ai është rilindasi modern i shqiptarëve këtu në vend e më gjerë”. – u shpreh Rektori i UT-së, Vullnet Ahmeti.
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi përkujtoi rëndësinë që ka ky tempull i dijes për krijimin e gjeneratave cilësore të studentëve.
“Duhet ta shtrimë dorën e inkurajimit dhe mbështetjes pa rezervë, ashtu siç kanë bërë edhe të parët e këtij universiteti, ato që e ditën rëndësinë e arsimit në gjuhën amtare, ato që kurrë nuk hezituan në asnjë çast për të mbrojtur këtë të drejtë me trupin dhe me jetën e vetë. Dhe prandaj kemi përgjegjësi dhe as ne, as gjeneratat e ardhme, nuk guxojmë ta lëmë në harresë këtë sakrifikim dhe betejë, rezultatin dhe frutat e së cilës sot i gëzojnë gjeneratat e shumta që kanë dalë dhe do të vazhdojnë të dalin nga këto banka universitare dhe do të japin kontributin e vetë të çmuar në çdo pore të jetës, dhe në çdo segment të shoqërisë sonë multietnike” – deklaroi Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.

26 vjet Universiteti i Tetovës, Ahmeti nderohet me çmimin “Doctor Honoris Causa”
Në 26-vjetorin e Universitetit të Tetovës u nda edhe titulli më i lartë shkencor “Doctor Honoris Causa” për Kreun e BDI-së, Ali Ahmeti.
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, pas marrjes së titullit “Doctor Honoris Causa”, tha se çmimi u takon të gjithë atyre të cilët pa rreshtur deri në fund kanë dhënë kontributin e tyre për universitetin e Tetovës dhe për kultivimin e arsimit shqip në Mqedoninë e Veriut.
“Ky nder që më bëhet mua, u dedikohet këtyre njerëzve që dhanë për hapjen dhe ngritjen e këtij universiteti. Ky nder dhe ky çmim i bëhet Abdylselam Eminit me rastin e 26 vjetorit të rënies së tij. I bëhet të gjithë ushtarëve, atdhetarëve e misionarëve, patriotëve, mësuesve e pishtarëve të arsimit që mbajtën shpirtin gjallë duke ligjëruar në ter, e në fshehtësi për lirinë e munguar dhe për sakrificat e panumërta të popullit, e të kombit tonë. Zotohem se do të vazhdojë pa u lodhur të punoj në ngritjen, avancimin e arsimit shqip, në rritjen e cilësisë së arsimit shqip, rritjen e vlerave si dhe infrastrukturën e universiteteve, pajisjen e tyre, sepse jemi në shekull konkurrent dhe sot vetëm me konkurrencë të fortë mund të ecim përpara. Themelet i kemi ndërtuar, kalatë i kemi ndërtuar, por ata duhet t’i forcojmë dhe mirëmbajmë, sepse vetëm me dije, vetëm të përgatitur mirë mund të jemi konkurrent të denjë në të gjitha fushat”, - theksoi Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, tashmë laureat i çmimit “ Doctor Honoris Causa”.
Zëvendëskryeministri i parë , Artan Grubi, aktin e sotëm të Universitetit të Tetovës, e ka vlerësuar si një vendim të drejtë, një vendim i cili nderon jo vetëm universitetin, por të gjithë kombin shqiptarë.
“Akti i sotëm nuk e nderon Ali Ahmetin, por në të vërtetë e nderon Universitetin e Tetovës dhe kombin shqiptarë, sepse ashtu siç thotë Niçeja, vlerësimi për figurat e nderuara të kombit e lartëson atë” – tha Zv.Kryeministri i parë i vendit, Artan Grubi.
Në vigjilje të këtij përvjetori u vendosën pllakate në të gjitha shtëpitë, pronarët e të cilave, prej 1994 -2004 i hapën dyert e tyre në funksion të Universitetit si dhe u vizitua Myftinia e Tetovës, ku u përkujtua roli i kësaj myftinie e cila në vitin 1994 ishte vënë në shërbim të plotë të jetësimit të Universitetit të Tetovës. (Visar Sadiki, TVM2)
