Maqedoni

Brenda 18 muajve, elektronizohen pikat e pagesës rrugore

13.11.2014 16:40

Modernizimi i pikave pagesore në korridorin 10 dhe kartelat elektronike të pagesës së patarinave nuk do ta zvogëlojnë...

Modernizimi i pikave pagesore në korridorin 10 dhe kartelat elektronike të pagesës së patarinave nuk do ta zvogëlojnë numrin e punëtorëve në ndërmarrjen publike “Rrugët e Maqedonisë”.  
 
Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski, premton se kjo risi nuk do të sjellë largim të punëtorëve, të cilët vite me radhë punojnë në këtë ndërmarrje. Edhe pse është i vetëdijshëm se me instalimin e sistemit elektronik të pagesave do të zvogëlohet dukshëm faktori  njeri, ai nuk tregon qartë se çfarë fati i pret punëtorët e kësaj ndërmarrje, pasi që nuk do të kryhet pagesa në kesh.
 
“Asnjë i punësuar në ndërmarrjen publike “Rrugët e Maqedonisë” nuk do të mbetet i papunë. Sa i përket asaj se a do të jetë tërësisht pa prezencë të faktorit njeri, kjo do të thotë se nuk do të ketë persona tek të cilët do ta kryejnë pagesën, sepse vetë sistemi nuk bazohet në pagesën në kesh”- deklaroi ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski. 
 
Ndërkohë, kompania turke “ASELLSAN” firmosi kontratën për modernizimin e pikave pagesore.
 
Kjo kompani do të ketë për detyrë në 18 muajt e ardhshëm t’i modernizojë pikat pagesore të Maqedonisë dhe të instalojë sistem të posaçëm për mënyrën e re elektronike të kalimit të pikave të pagesës rrugore.
 
Pagesat e reja elektronike do të bëhen në dy forma. E para është me transmetimin e valëve elektronike, të cilat do t’i kenë automjetet të ngjitura në xhamin e përparmë, ndërsa e dyta formë do të jetë me smart-kartelat elektronike, të cilat në fillim do të mund të gjenden nëpër pikat pagesore.
 
“Në aspektin teknik është paraparë të ketë rekonstuim, zgjerim dhe modernizim të tre pikave pagesore në korridorin 10 dhe atë në Petrovec, Sopot dhe Otovic, dhe po ashtu është paraparë të zgjerohen korsitë e pikave pagesore në Rramanli dhe Gradtsko dhe ndërtimi i dy pikave të reja pagesore në Demir Kapi dhe Gjevgjeli”- tha drejtori i NP “Rrugët e Maqedonisë”, Ljupço Gerogjievski.
 
“Me ndihmën e partnerit tonë në Maqedoni, “ASELLSAN”, është e sigurt se do të realizohet një sistem cilësor, i cili do t’i tejkalon pritjet e autoriteteve. Sistemi i cili duhet të realizohet, është zgjidhje e cila veç më po zbatohet në praktikë dhe është i dedikuar për pagesë automatike dhe po gjen përdorim më shumë se 15 vite në kushte të komunikacionit të ngarkuar në Turqi”- u shpreh Suad Bengyr nga “ASELLSAN”-Turqi.  
                                                                                                                                      
Ky investim kap vlerën prej 18.7 milionë euro, prej të cilave 15 milionë euro janë të siguruara nga Banka Evropiane për Ripërtërirje dhe Zhvillim, ndërsa vetëm 3 milionë euro janë siguruara nga buxheti i shtetit.
 
REXHEP QAMILI