Ekonomi

Gruevski: Qeveria realizon programe në mbështetje të biznesit

13.11.2014 16:54

Koncentrimi i Qeverisë së Maqedonisë në përmbushjen e reformave të rekomanduara nga KE, ka bërë që paralelisht me këto reforma...

Koncentrimi i Qeverisë së Maqedonisë në përmbushjen e reformave të rekomanduara nga KE, ka bërë që paralelisht me këto reforma vendi të shënojë progres edhe në rritjen e kapacitetit ekonomik dhe thithjen e investimeve të huaja në vend.
 
Kështu u shpreh sot kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, me rastin e shënimit të dhjetëvjetorit të Asociacionit për Biznes Evropian. Gruevski, më tej shtoi se Asociacioni për Biznes ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen dhe përforcimin e kapacitetit të kompanive vendase dhe atyre të huaja.
 
“Apeloj tek të gjitha ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të bashkëpunojnë me kompanitë vendase dhe të jashtme. Ndërtimi i infrastrukturës rrugore, hekurudhore, ndërtimi i hidrocentraleve, rritja e kapacitetit energjetik, gazifikimi do të ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e biznes-klimës në vend. Përveç kësaj, Qeveria e Maqedonisë në të ardhmen kompanive të huaja do t’u mundësojë që pa pagesë të kryejnë veprimtarinë e tyre këtu”- deklaroi kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski.
 
Në vijë të njëjtë me kryeministrin ishte edhe ministri i Financave, Zoran Stavreski.
 
“Qeveria, përmes programeve për zhvillim dhe përkrahje të kompanive vendase dhe atyre të huaja, ka hartuar programe, ku janë paraparë lehtësime për marrjen e kredive, ndërkaq me përfundimin e korridorit 8, Maqedonia pritet të zgjojë interes më të madh tek kompanitë e huaja, që të investojnë në vend”- tha ministri i Ekonomisë, Zoran Stavreski.
 
Zëvendëskryeministri, Fatmir Besimi, u bëri thirrje kompanive vendore, përmes programit IPA2, marrjen e kredive, që t’i shfrytëzojnë këto mundësi dhe të dalin në sipërfaqe dhe në këtë mënyrë të bëhen konkurrentë në tregun evropian. 
 
Ndërkaq, pronarët e kompanive vendase, të pranishëm në këtë eveniment, drejtuan vërejtjet e tyre ndaj qeverisë, për shkak të procedurës së komplikuar doganore dhe administrative.
 
VALBON BEXHETI