Maqedoni

Projekt buxheti për 2021, VMRO – DPMNE: Pa strategji dhe premtime boshe

18.12.2020 14:56

Projektimi buxhetor për vitin 2021, shkas i akuzave të ndërsjella midis deputetëve në ditën e tretë të debatit...

Projektimi buxhetor për vitin 2021, shkas i akuzave të ndërsjella midis deputetëve në ditën e tretë të debatit, të cilat në disa momente morën drejtime të tjera, duke përfshirë gjuhën maqedonase dhe kontestin me Bullgarinë. VMRO–DPMNE shigjetoi shumicën parlamentare se propozon buxhet me premtime boshe dhe pa strategji veprimi në zhvillimin e arsimit, investimeve kapitale dhe uljen e varfërisë.
 
“Asnjë projekt i përgatitur nuk do të nis realizimin nga një janari. Dëgjuam shumë ‘do të’, kjo do të bëhet, ajo do të bëhet. Unë me përgjegjësi u them se për dy tre-muaj do të bisedojmë për rebalanc të buxhetit dhe sërish do të ulni përqindjet. Ky nuk është buxhet për konsolidim financiar dhe ulje të varfërisë, por është buxhet që duhet të pasurojë elitën e afërt me ju.”,- deklaroi deputeti i VMRO–DPMNE-së, Bojan Stojanovski.
 
“Asnjë përparim në cilësinë e arsimit. Investime të pamjaftueshme në arsim dhe trajnime. Kemi 3.7% të GDP-së apo 150 milion euro më pak investime çdo vit.”,- theksoi deputetja e VMRO–DPMNE-së, Lidija Petkovska.
 
LSDM: Në interes të shtetit dhe të qytetarëve
 
Socialdemokratët me kundërakuza se opozita është vetëm kritikuese dhe jo në shërbim të qytetarëve. Sipas tyre, projekt buxheti është zhvillimor dhe mbështetës i ekonomisë, shëndetësisë dhe funksionimit më të mirë institucional.
 
“I shfrytëzoni të gjitha benifitet e funksioneve dhe këtu të shisni demagogji të rreme, kjo është e turpshme. Unë ju kuptoj plotësisht se në mungesë të vizionit të qartë për vendin, ju diskreditoni me çdo kusht, shpërndani lajme të rreme, nënçmoni, keni kërkesa të pakuptimta dhe protestoni.”,- theksoi deputetja e LSDM-së, Lidija Tasevska.
 
“Nuk e di se çfarë nënkuptoni se nuk kemi strategji. T’iu rikujtoj se risi në këtë buxhet është korniza e saj 5 vjeçare. Ekziston strategji për rimëkëmbje ekonomike prej katër shtyllave. Por kjo juve nuk u konvenon dhe nuk doni as ta përmendni.”,- potencoi deputetja e LSDM-së, Snezhana Kaleska Vançeva.
 
Debati për buxhetin i cili peshon 4 miliard euro duhet të zgjasë më së shumti 5 ditë.
 
MERAL ISMAILI