Maqedoni

Masat e reja në fuqi, hotelierët i vlerësojnë të palogjikshme

18.12.2020 15:08

Hyri në fuqi vendimi i qeverisë i miratuar me rekomandim të Komisionit për Sëmundje Infektive...

Hyri në fuqi vendimi i qeverisë i miratuar me rekomandim të Komisionit për Sëmundje Infektive që objektet gastronomike të punojnë deri në orën 18. Kjo është pjesë e masave anti-Kovid, të cilat u ashpërsuan me afrimin e festave të fundvitit. Me këtë vendim nuk u pajtua Oda e pavarur hotelierike, e cila parashtroi iniciativë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ndryshimeve ligjore që kufizojnë veprimtarinë e tyre.
 
“E parashtrojmë këtë iniciativë me qëllim që të tregojmë padrejtësitë e politikës selektive që bëhet ndaj sektorit të hotelerisë, duke shpresuar se Gjykata Kushtetuese do të reagojë shpejt dhe do të kemi mundësi që në javën e ardhshme të kthejmë orarin e mëparshëm të punës.  I shohim këto masa si selektive për shkak se asnjë nga sektorët tjerë nuk kufizohet në orarin e tyre të punës.”,- deklaroi kryetari i OPH-së, Zdravko Josifovski.
 
OPH: Iniciativë në kushtetuese për vlefshmërinë e masave
 
Nga Oda e pavarur hotelierike theksuan se edhe përkundër insistimeve për t’u takuar me përfaqësuesit qeveritar për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi, ata nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Kufizimet e fundit i kundërshton edhe Qëndrim Zendeli, menaxher i një nga objekteve gastronomike, i cili thekson se sektori i gastronomisë vazhdon të pësojë humbje të mëdha gjatë pandemisë.                                                       
“Masat e fundit që kufizojnë punën e kafeneve dhe restoranteve nuk do mend që dëmtojnë biznesin e hotelierisë. Sektori më i dëmtuar në këtë pandemi vazhdon të jetë turizmi, hoteleria dhe gastronomia. Masat financuese paraprake që i ka ndërmarrë qeveria nuk janë të mjaftueshme dhe shpresojmë që vitin e ardhshëm do të ketë më tepër grande, por edhe një protokoll të qartë se si do duhet të punohet në këtë sektor.”,- tha menaxheri i një lokali, Qëndrim Zendeli.
 
Me rekomandimet e Komisionit për Sëmundje Ngjitëse për parandalim të përhapjes së virusit Korona, orari i punës i objekteve hotelerike shkurtohet deri në orën 18:00 dhe do të jetë në fuqi deri më 20 janar, ndërsa po ashtu ndalohet edhe organizimi dhe mbajtja e festimeve për Vitin e Ri dhe festat fetare.
 
ZEKIRJA MEXHITI