Maqedoni
VMRO-DPMNE: Interpelancë për punën e zëvendëskryeministrit Dimitrov
18.12.2020 15:34
Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së dorëzoi nismën për interpelancë ndaj zëvendëskryeministrit për eurointegrime, Nikolla Dimitrov...

Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së dorëzoi nismën për interpelancë ndaj zëvendëskryeministrit për eurointegrime, Nikolla Dimitrov. Deputeti, Antonio Milloshovski, në mesin e arsyeve për interpelancë theksoi mosfillimin e bisedimeve me BE-në, por edhe atë se Dimitrov nuk ka respektuar Kuvendin, gjegjësisht nuk u përgjigjet ftesave të deputetëve dhe nuk merr pjesë në punën e një komisioni, pasiviteti i Sekretariatit për Çështje Evropiane dhe mosdhënia e llogarisë për 100 ditët e para në postin e zëvendëskryeministrit.
“Dështimi i Nikolla Dimitrovit është dështim i gjithë shtetit dhe të gjithë ata që ndoshta me arsye, naivitet ose subjektivitet kanë besuar në fjalët e tij se Maqedonia ka marrë vendim për fillim të bisedimeve të pakushtëzuara, sot mund të jenë të sigurt se ajo për fat të keq nuk ka ndodhur. Dhe sipas kësaj ai duhet të bart përgjegjësi politike. Nëse do të kishte më shumë moral ose standard evropian, ai edhe vetë do të japë dorëheqje, por nëse të njëjtat nuk i ka, atëherë Kuvendi është këtu që të shfrytëzojë këtë mekanizëm kushtetues.”,- deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski.
LSDM: Interpelanca e VMRO-së do të jetë i dështuar
Milloshovski po ashtu në emër të deputetëve të VMRO-DPMNE-së shprehu falënderim ndaj Çekisë dhe Sllovakisë, për, siç thotë, qëndrim principiel duke bllokuar konkluzat për Ballkanin Perëndimor, pasi që nuk pajtohen me tekstin për Maqedoninë e Veriut. Ndaj interpelancës për zëvendëskryeministrin Dimitrov, ka reaguar LSDM. Sipas tyre, interpelanca do të jetë një dështim i madhëpër VMRO-DPMNE-në në krye me Mickoskin.
“Në momentet kyçe për interesa strategjikë, pavarësisht nëse ka të bëjë me anëtarësimin në NATO, qoftë me anëtarësimin në BE, VMRO-DPMNE dhe Mickoski janë të përkushtuar vetëm për përhapjen e lajmeve të rreme, histerisë dhe minimit të interesave të shtetit. Si kujtesë, vitin e kaluar kishte një interpelancë për Dimitrovin. Në atë kohë, mezi 20 deputetë të VMRO-DPMNE votuan për të. Do të jetë e njëjta gjë këtë vit. Dimitrov gëzon besimin e plotë të deputetëve të mazhorancës, sepse ai lufton për interesat e shtetit.”,- thuhet nga LSDM.
Për sa kohë që VMRO-DPMNE sillet në mënyrë të papërgjegjshme ndaj institucioneve, qytetarëve dhe shtetit, ata do të qëndrojnë atje ku janë, në opozitë, thuhet më tej në reagimin e LSDM-së.
SANIJE DURAKU
