Maqedoni

Bekteshi, raport për 100-ditëshin në Ministrinë e Ekonomisë

18.12.2020 16:04

Trajtimi i efekteve negative në ekonominë e vendit të shkaktuara nga pandemia globale e COVID-19...

Trajtimi i efekteve negative në ekonominë e vendit të shkaktuara nga pandemia globale e COVID-19, ka qenë përkushtimi kryesor i Ministrisë së Ekonomisë në 100 ditët e para, ka thënë ministri Kreshnik Bekteshi në raportin për punën e tij. Sipas Bekteshit, Ministria e Ekonomisë në bashkëpunim me Qeverinë kanë qenë hallka më e rëndësishme e vendit brenda kësaj kohe, sepse për qëllim kishin shpëtimin e ekonomisë, shpëtimin e sa më shumë vendeve të punës, dhe në të njëjtën kohë është dashur që fuqishëm të ndihmohen bizneset e vendit me qëllim që mos të kapitullojnë.

 
“Sfida kryesore që shënoi 100 ditët e para së punës së Ministrisë së Ekonomisë ishte trajtimi i efekteve negative në ekonomi të shkaktuara nga pandemia globale e COVID-19. Menjëherë me fillimin e mandatit filluam me realizimin e pakos së katër të masave ekonomike për të mbështetur ekonominë dhe për t’i ruajtur të gjitha vendet e punës në sektorin privat. Në 100 ditët e para të punës sonë ne nënshkruam marrëveshje të reja me 39 kompani dhe dhjetë anekse të marrëveshjeve me një cikël investimesh prej 56 milion euro. Gjithsej 17.3 milion euro u paguan për afro 400 kompani dhe investimet totale të këtyre kompanive vlerësohen në 100 milion euro.”,- tha ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
 
Bekteshi po ashtu potencoi se për turizmin janë ndarë 212 milion denarë, ku si rezultat i realizimit të tyre gjithsej 214 persona fizik dhe juridik përfituan plot 58 milion denarë. Po ashtu kanë përfituar edhe agjenci ku plot 276 agjenci turistike kanë përfituar plot 79.6 denarë. 81 kënde të lojërave morëm grande në vlerë prej 13.2 milion denarë. 132 restoranteve u ndanë grande në vlerë prej 54.5 milion denarë. Udhëheqësit turistik përfituan 5 milion denarë. 20 milion denarë janë destinuar drejt zejtarëve Ai tha se si ministri do të vazhdojnë të jenë përkrah bizneseve.
 
“Nga fillimi i vitit të ardhshëm ne do të bëjmë ndryshime në Ligjin për shoqëritë tregtare, me çka do të përfshihet mundësia e aplikimit të huasë së konvertueshme në shoqëri me përgjegjësit e kufizuara. Transformimi i sektorit të energjisë në vend dhe kalimin në burimet e pastra siç është uji, dielli dhe era mbetet një përparësi e Ministrisë së Ekonomisë.”,- theksoi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
 
Ministri Bekteshi foli edhe për ndihmën që Qeveria ndan nga 6000 denarë për qytetarët, e ku sipas ministrit të njëjtat mjete pritet të jetë në xhirollogaritë e qytetarëve brenda javës së ardhshme.   
 
FITIM KRYEZIU