Maqedoni

Ademi: kërkesa e Komunës së Kërçovës do të shqyrtohet së shpejti

13.11.2014 17:31

Kërkesa e Komunës së Kërçovës drejtuar qeverisë që ta ndihmojë atë në sigurimin e lëndës djegëse për ngrohjen e shkollave...

Kërkesa e Komunës së Kërçovës drejtuar qeverisë që ta ndihmojë atë në sigurimin e lëndës djegëse për ngrohjen e shkollave të mesme në këtë zonë, nuk është shqyrtuar në seancën e fundit qeveritare. 
 
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi, thotë se kjo kërkesë do të shqyrtohet në ditët në vijim dhe shpreson se të njëjtës do t’i dilet në ndihmë. Ai sqaron se komuna vetë duhet të sigurojë kapacitete që të përballen me sfidat që e presin, sepse ndihma e qeverisë është zgjidhje e përkohshme. 
 
“Komuna e Kërçovës ka parashtruar një kërkesë për ta ndihmuar me lëndë djegëse të njëjtën komunë, me qëllim që ata të mund ta sigurojnë ngrohjen e shkollave. Mirëpo këtë çështje në seancën e vendit nuk arritëm ta diskutojmë, për shkak se kishim shumë pika në rend të ditës dhe nuk u përmbyll seanca e qeverisë. Do të vazhdojë ditëve në vijim dhe me siguri dhe sigurisht kur do të diskutohet, ne do t’i kemi parasysh argumentet dhe specifikat e Komunës së Kërçovës, për t’i ndihmuar të njëjtës. E përsëris edhe një herë se kjo nuk është mënyrë e zgjidhjes së përhershme të problemeve, por është zgjidhje e përkohshme. Komunat do të duhet të ndërtojnë kapacitetet e tyre për menaxhim me arsimin fillor dhe të mesëm dhe të ballafaqohen me sfidat që i presin”- deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi.
 
Ministri Ademi, shprehet se problemi me nxemjen në shkollat e qytetit të Kërçovës nuk vjen si pasojë e menaxhimit të dobët të Administratës Komunale, por për arsye të borxheve të trashëguara nga më herët. 
 
SANIJE KASAMI