Maqedoni

Tetovë, zjarrfikësit në protesta

18.12.2020 19:25

Vite me radhë zjarrfikësve në Tetovë nuk u rregullohet statusi i tyre...

Ata sot kanë protestuar dhe do të vazhdojnë të protestojnë edhe ditët tjera deri në realizim e kërkesave të tyre. Ata paralajmëruan edhe radikalizim të protestave para komunës, por edhe duke bllokuar rrugë, nëse organet kompetente vazhdojnë të heshtin. Zjarrfikësit kanë bërë kërkesë për takim edhe me kryeministrin, Zoran Zaev. 
 
“Nuk kërkojmë lëmoshë, kërkojmë vetëm drejtësi. Nën një, sigurim kolektiv; nën dy, korrigjimi i të ardhurave të rrogës për punën gjatë natës, festave dhe gjatë vikendit, si dhe të paguhet puna shtesë, jashtë orarit të punës. Nën tre, korrigjimi i rrogës bazë për 20 për qind dhe e katërta, pagesa e të ardhurave në të holla në bazë të vendimit të gjyqit. Janë paguar vetëm 20.000 denarë në vend se të paguhen 60.000 denarë.  Ne kemi vendosur nga sot të protestojmë çdo ditë, derisa të plotësohen kërkesat tona.”,- deklaroi zjarrfikësi, Fariz Xhemaili.
 
Nga komuna e Tetovës kanë theksuar se ky problem me zjarrfikësit në Tetovë nuk mund ta zgjedhin vetë, ata kërkojnë për ndërhyrjen e Qeverisë, sepse, siç shkruan në komunikatën e komunës, problemi nuk është lokal.
 
“Për rregullimin e statusit dhe përmbushjen e nevojave të zjarrfikësve duhet një angazhim në nivel shtetëror, pasi që ky problem nuk është lokal, por në të gjithë vendin. Komuna e Tetovës deri më tani ka paguar një pjesë të kompensimit financiar për zjarrfikësit e Tetovës, dhe në të ardhmen e afërt do të shlyejë plotësisht edhe 2 pjesët e mbetura të këtij kompensimi në vlerë totale prej 40.000 denarë  për çdo zjarrfikës.”,- thanë nga komuna e Tetovës.
 
Ndërkaq, ka vite që Sindikata e Pavarur e Zjarrfikësve të Tetovës, kërkesën për rregullimin e statusit të tyre e përsëritën, por as komuna dhe as Qeveria nuk kanë bërë zgjidhjen për to.
 
VISAR SADIKI