Maqedoni

Iseni: për Shkupin luftuan edhe shqiptarët

13.11.2014 17:35

Shkupi, ky qytet që njihet si “zemra e Dardanisë”, nëpër shiritin historik ka përjetuar luftëra të mëdha për shkak të pozitës së volitshme gjeografike, si nyje lidhëse e të gjithë rajonit...

Në periudhën e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kur Gjermania naziste ishte në fazën e kapitullimit të saj, ajo reflektoi me humbjen graduale edhe në Ballkan, ku u zhvilluan luftëra të ashpra dhe intensive në Shkup dhe në të gjithë Maqedoninë Perëndimore, duke mos përjashtuar edhe Kumanovën dhe shqiptarët atje. Për dëbimin e gjermanëve nga këto troje u bashkuan Forcat Vullnetare Shqiptare dhe Forcat Partizane Jugosllave. 
 
“Këto luftime mes këtyre forcave janë zhvilluar intensivisht nga shtatori i vitit 1943 deri ne vitin 1944. Këtu kemi 3 pjesë që e përbëjnë këtë periudhë historike, 3 kampe ushtarake nëse mund ta quaj, ai Partizano-Jugosllavo-Maqedon, kampi ushtarak i Forcave Vullnetare Shqiptare, por edhe ai Gjerman, që ishte prezent këtu së bashku me atë Bullgar. Kapitullimi i Bullgarisë me 8 shtator 1944, krijoi rrethana të reja dhe kjo e intensifikoi luftën dhe për të marrë këto territore nën kontroll nga të dyja palët, ajo shqiptare dhe ajo maqedonase dhe luftimet intensive u zhvilluan në rrethin e Shkupit”- deklaroi profesori universitar, Fati Iseni.
 
Më 12,13 nëntor të vitit 1944, me tërheqjen graduale të Forcave gjermane, u zgjua interesi maksimal tek shqiptarët për të marrë nën kontroll të plotë Shkupin, ku mbrëmjen e po asaj date të 13 nëntorit, vazhduan luftimet në mes  Forcave Vullnetare Shqiptare dhe forcave Partizane Jugosllave. 
 
“Më 14 dhe 15  nëntor 1944 kemi beteja jashtëzakonisht të rëndësishme, që janë zhvilluar mes Forcave Partizane dhe Forcave Vullnetare Shqiptare në rrjedhë të Treskës. Kryesisht janë nga pjesa Shishovë, Matkë dhe Gllumovë, deri në 15 nëntor ishin beteja të jashtëzakonshme, që u zhvilluan dhe gradualisht filluan të tërhiqen Forcat Vullnetare Shqiptare, meqë interesi ishte i vogël i asaj kohe të Shqipërisë që t’i mbështeste, politika ndërkombëtare ishte asisoj që në njëfarë mënyre ky territor i dikurshëm i Mbretërisë Jugosllave tani iu la nën kontroll të plotë Partisë Komuniste Jugosllave, respektivisht liderit të saj, Titos”- tha Iseni.
 
Konsultacioni i fuqive ndërkombëtare dhe politikave që zhvilloheshin gjatë asaj kohe në rrafshin ndërkombëtar, rezultoi negativisht në të gjitha zhvillimet ushtarake dhe politike që asaj kohe shqiptarët i bënë në Maqedoninë.
 
Edhe pse shqiptarët ishin çliruesit kryesorë të Shkupit nga gjermanët, kjo histori pothuajse nuk përmendet më.
 
FARIJE DAUTI-BAKIU