Maqedoni

Izairi: mbyllja e “Makstillit” zvogëloi ndotjen në Shkup

13.11.2014 17:41

Pas mbylljes së kompanisë “Makstill”, ndotja e ajrit në Shkup është përmirësuar, por jo në nivelin e dëshiruar, thotë ministri i Ambientit, Nurhan Izairi...

Ai paralajmëron marrjen e masave për evitimin e faktorëve të tjerë të cilët janë shkaktar të ndotjes së ajrit në vend.
 
“Pas mbylljes së “Makstillit” ndotja e ajrit është përmirësuar, por jo edhe në masë të madhe, për arsye se ka edhe faktorë të tjerë që ndikojnë në ndotjen e ajrit ambiental. Kështu që qyteti i Shkupit në bashkëpunim me ministrinë janë duke e harmonizuar strategjinë se si do të drejtohet kjo çështje në të ardhmen”- deklaroi ministri i Ambientit Jetësor, Nurhan Izairi.
 
Sa u përket protestave në Tetovë për mosmbylljen e kompanisë “Jugohrom”, ministri Izairi thotë se e ndan shqetësimin me ta dhe është mirë kur njerëzit vetëdijesohen për ambientin e tyre.
 
“Brenga e tyre njëkohësisht është edhe e imja, sepse ajrin të cilin e thithin ata qytetarë e thithi edhe unë, e thithim edhe ne të tjerët. Kështu që angazhimi i tyre për përmirësimin e ajrit, si dhe angazhimi i tyre për marrjen e aksioneve për përmirësimin e ajrit është një angazhim që përkon me angazhimin e ministrisë që unë drejtoj, kështu që mirë është kur njerëzit vetëdijesohen për ndodhitë, për ajrin, për ambientin e tyre”- tha Izairi.
 
Këtë Izairi e theksoi me rastin e aksionit për eliminimin e substancave që hollojnë mbështjellësin e ozonit, me ç’rast ai bëri të ditur se në kuadër të zbatimit të planit për eliminimin e substancave, të cilat dëmtojnë mbështjellësin e ozonit, janë eliminuar më shumë se 99% nga shpenzimi i tyre në Maqedoni.
 
Ai, njëherit theksoi se ministria siguroi resurse financiare në lartësi prej 158 mijë dollarësh nga fondi shumëpalësh i protokollit të Montrealit për substancat holluese të mbështjellësit të ozonit, për sigurimin e pajisjes për grumbullimin dhe riciklimin e pajisjeve të ftohjes.
 
Për sigurimin e pajisjeve është angazhuar edhe Sektori për Përpilim dhe Menaxhim me Projekte i USHT-së.
 
“Kemi dërguar edhe personelin tonë që të trajnohen dhe të marrin certifikatën e duhur për përdorim të kësaj pajisje. Kjo pajisje do të ndihmojë shumë dhe me këtë rast USHT-ja do të ndikojë në përmirësimin e ambientit jetësor, sepse me anë të këtyre pajisjeve ne do të riciklojmë grimcat e rrezikshme për atomet e ozonit”- u shpreh Festim Halili nga Zyra për Përpilim dhe Menaxhim me Projekte në USHT.
 
Kjo është fushata e dytë e ndarjes së 35 kompleteve të pajisjeve për grumbullimin dhe riciklimin e mjeteve të ftohjes për shfrytëzim falas nga teknikët e pajisjes së ftohjes, që rrumbullakëson ciklin e aktiviteteve të lidhura me vendosjen  e një sistemi të qëndrueshëm për menaxhim me mjetet e ftohjes.
 
GYLTENE SINANI